(shkrim autorial me rastin e 27 vjetorit të themelimit të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur)
Jahja LLUKA
Njerëzimi është ballafaquar dhe zhvilluar që në kohë të hershme me fenomenin e migrimit. Mirëpo, për dallim nga popujt e tjerë, tek shqiptarët ky fenomen jo vetëm që ka zgjatur më shumë, por edhe ka shkuar gjithnjë në rritje, duke e shndërruar kështu migrimin në pjesë të pandarë të historisë sonë. Përderisa shkak të migrimeve popujt e tjerë kishin kryesisht arsyet ekonomike, tek shqiptarët para luftës së Kosovës, arsyeja ishte një – përkatësia etnike, e cila u pengonte pushtuesve serbë, me projektet e tyre kolonizatore e lakmitare. Kurse pasluftës, fatkeqësisht arsye për migrim përveç shkaqeve ekonomike janë edhe mungesa e zhvillimit, pamundësia për punësim dhe pa perspektiva e të rinjve Kosovar.
27 vite më parë, më 14 shkurt 1990, duke e parë se si çdo ditë e më shumë të rinj, familje, por edhe vendbanime të tëra shqiptarësh po iknin nga Kosova dhe trojet tjera të pushtuara nga ish Jugosllavia, bashkë me shumë aktivist dhe bashkëpunëtorë, vendosëm për themelimin e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta.
Ishte një imperativ, kërkesë e kohës e cila edhe sot është aktuale. Miliona shqiptar kishin lëshuar trojet e tyre në një periudhë kohore jo shumë të gjatë, por migrimi i qindra miëra qytetarëve shqiptar drejt Turqisë me marrëveshjet e famshme të Mbretërisë serbe dhe shtetit turk, pastaj ri aktualizimi i kësaj marrëveshje nga Jugosllavia e Titos, si dhe vala e migrimit pas shpërbërjes së Jugosllavisë, na vuri para një akti sa të vështirë aq edhe fisnik, krijimin e kushteve për kthimin e bashkatdhetarëve tanë në trojet e tyre stërgjyshore. Shoqata menjëherë filloi aktivitetet e saja përmes aksioneve konkrete duke siguruar trualle për familjet që ktheheshin, përmes aksionit gjithpopullorë për faljen e trojeve për të kthyerit, pastaj të arritura tjera edhe pse në kushte tejet të vështira dhe në sy të pushtuesit serb, shoqata arriti shtrirjen e saj në gjitha trojet shqiptare dhe ne diasporë.
Aktivitetet tjera që duhet të përmenden janë edhe regjistrimi i te shpërngulurve te humburve dhe azil kërkuesve. Themelimi i lëvizjes Hasan Prishtina për pengimin e shpërnguljes se shqiptarëve me inkuadrimin e profesorëve te universitetit. Themelimi i redaksisë së botimeve në nivel kombëtar me kryeredaktor Akademik Pajazit Nushin. Themelimi i çmimit Hasan Prishtina i cili ndahet për merita të veçanta në pengimin e pastrimit etnik të Kosovës si dhe qindra organizime të tryezave shkencore, tribunave të ndryshme, si aktiviteteve të ndryshme nga ana e shoqatës.
Shoqata me angazhimin, por edhe propagandën e saj iu kundërvu projekteve kolonialiste serbe që për qëllim kishin zbrazjen e tokave shqiptare.
Përgjatë 27 viteve aktivitet, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, përkundër vështirësive, ndjekjeve, persekutimeve dhe arrestimeve të aktivistëve të saj nga ana e pushtuesit serb para luftës së Kosovës, por edhe përkundër mos përkrahjes nga ana e institucioneve të Kosovës pas luftës, asnjëherë nuk e ndal në aktivitetin e saj.
Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, ishte shumë aktive edhe përgjatë viteve të fundit, sidomos pas valës së madhe të ikjeve më 2015, ku afro 100.000 qytetar shqiptar të Kosovës ikën përmes Serbisë e Hungarisë drejt shteteve të ndryshme evropiane.
Kjo plagë e madhe po vazhdon ta godas edhe sot popullin tonë, e me këtë edhe zhvillimin tonë kombëtar. Edhe sot, mijëra qytetarë të Kosovës ikin nga vendi i tyre, mijëra të tjerë çdo ditë heqin dorë nga shtetësia e vendlindjes së tyre në mungesë perspektive, nga varfëria apo shkaqe tjera ata kërkojnë jetë më të mirë në vende të ndryshme të botës.
Sot, në 27 vjetorin e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, ju bëjmë apel institucioneve tona që të merren shumë më seriozisht me këtë plagë që po na copëton, të krijojnë dhe zbatojnë një platformë të qëndrueshme për kthim të qëndrueshëm. Kurse rinisë tonë të mrekullueshme ju bëjmë apel, të qëndrojnë, nga këtu, të nisim ndryshimin për vendin tonë më të mirë, më të zhvilluar, bashkërisht të krijojmë perspektivën tonë.
/Autori është një ndër themeluesit dhe kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur/