Kreu i LDK-së , Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, duke thënë se rezultati i këtij procesi ka ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e të drejtave kolektive e kombëtare.
Ja postimi i plotë:
THIRRJE PËR REGJISTRIM PAS TAKIMIT TË PËRBASHKËT ME LIDERËT E LUGINËS
Sonte, në Prishtinë, së bashku me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, kam pritur në darkë pune të gjithë udhëheqësit partiak dhe liderët institucional të shqiptarëve të Luginës.
Së bashku me kryetarin e PVD-së dhe deputetin, z. Shaip Kamberi; kryetarin e Alternativës për Ndryshim dhe kryetarin e Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi; kryetarin e PD-së dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Nagip Arifi; kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafi; kryesuesin e Kuvendit Komunal në Preshevë, z. Sami Salihu; kryetarin e LPD-së z. Shqiprim Musliu; kryetarin e AFEDS, z. Muharrem Salihu; dhe kryetarin e VATRA-s, z. Kushtrim Kadriu – biseduam mbi gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Nga ky takim, dolëm dhe me apel të përbashkët për të gjithë shqiptarët e kësaj ane – ata që jetojnë në Luginë, Kosovë e Mërgatë – që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në tre komunat shqiptare. Regjistrimi masiv është përgjigje ndaj diskriminimit strukturor ndaj shqiptarëve të Luginës, siç dhe është kontribut patriotik në avancimin e të drejtave autoktone të shqiptarëve të Luginës.
Si LDK, do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet tona politike në unifikimin e spektrit politik shqiptar në çështjet me interes kombëtar; për të drejtat politike dhe civile të shqiptarëve të kësaj ane që sot jetojnë në Kosovë – me theks sigurimin e nënshtetësisë; si dhe ndihmesën shtetërore për banorët e komunave në fjalë.