U mbajt ceremonia përmbyllëse e fushatës globale ”16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”
Me prezencën e drejtuesve të lartë të shtetit, përfaqësuesve të institucioneve të tjera shtetërore, ambasadorëve të vendeve të ndryshme e përfaqësuesve të organizatave të të drejtave të grave, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt ceremonia përmbyllëse e fushatës globale ”16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ngriti shqetësimet për situatën e barazisë gjinore në shoqërinë tonë, duke bërë thirrje për betejë në shumë fronte, betejë kjo e cila, siç tha kryetari Konjufca, është larg përfundimit.
Kreu i legjislativit tha se njëri front është mekanizmi shtetëror i sigurisë, prej policisë deri te gjyqësori, ndërsa një tjetër është edukimi.
Duke e konsideruar të domosdoshëm arsimimin që në fëmijërinë e hershme, kryetari Konjufca theksoi po ashtu nevojën e luftimit të pandëshkueshmërisë.
Një front të rëndësishëm të kësaj beteje kreu i Kuvendit e konsideroi edhe legjislacionin, pasi, siç tha ai, të gjitha dhunimet, shkeljet dhe pabarazia duhet të kuptohen si shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Barazia gjinore në Kosovë është larg asaj që e dëshirojmë, pasi pikërisht gjatë këtij 16 ditëshi ndodhën dy tronditje të mëdha, vrasja e mësueses Sadie dhe Hamides, dy vrasje prej bashkëshortëve të tyre. Kjo tregon që situata është alarmante dhe kjo ia shton edhe më shumë arsyen domosdoshmërisë së këtij aktivizmi, i cili nuk duhet të jetë vetëm 16 ditor, por duhet të jetë 24 orë, gjatë gjithë vitit. Në çdo instancë të arsimit tonë duhet të flasim për çështje të rëndësishme që i ndihmojnë barazisë gjinore”, theksoi kryetari Konjufca.
Kryeministri Albin Kurti tha se për fat të keq secilin vit në secilin shtet, ku më pak e ku më shumë, gratë e vajzat vazhdojnë të jenë viktima të burrave të frustruar e të dhunshëm, të tradhtuara e të lënduara nga më të afërmit e tyre çdo ditë.
Ai tha se studimet e bëra thonë se në botë një në tri gra përjeton dhunë fizike ose seksuale nga partneri i saj.
Këto dëme, shtoi kryeministri Kurti, janë shkatërruese edhe kur epilogu nuk është vdekja.
Duke folur për situatën në Kosovë, kreu i qeverisë tha se ky problem kaq i madh duhet adresuar bashkarisht, sepse, siç tha ai, gratë dhe vajzat secilën ditë vazhdon t’i vras sistemi patriarkal, i ndërtuar ndër vite e ndër breza.
Duke përmendur emrat e disa prej grave të vrara gjatë viteve të fundit në Kosovë, kryeministri Kurti tha se këto janë vetëm disa nga emrat e atyre që historitë e tyre u bënë publike, por ai tha se nuk dihet edhe sa të tjera nuk janë më në jetë, por nuk u është dëgjuar historia.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti, potencoi se shumë dokumente ligjore janë ashpërsuar gjatë kësaj kohe sa i përket vrasjeve e dhunimeve ndaj grave, megjithatë, ajo tha derisa po ndodhin, do të thotë se nuk është arritur parandalimi i tyre.
Deputetja Kurti tha se këtu nuk bëhet fjalë për xhelozi apo ndonjë motiv tjetër, por për mentalitetin më brutal që e jep patriarkalizmi, se gratë janë pronë e burrit dhe kësisoj janë të cenueshme.
Drejtuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, bëri thirrje për angazhim të vazhdueshëm për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve, ndërsa potencoi se kjo nuk u takon vetëm grave, por edhe burrave.
Rugova tha se ndonëse gjatë këtyre 16 ditëve dhuna nuk u ndal, sipas saj ajo që u pa këtë vit është energjia dhe mbështetje institucionale, e cila ka dhënë shpresë se këto dukuri mund të ndalen.
Në mbyllje të kësaj ceremonie, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se aktivizmi për barazi gjinore do të vazhdojë ndërmjet adresimit të nismave të ndryshme ligjore, që kanë fokus mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave, masat ndëshkuese ndaj dhunuesve dhe trajtimin e tyre, si dhe thirrjet e vazhdueshme ndaj institucioneve të tjera, si prokuroria e gjyqësori, për punë, vigjilencë e drejtësi për qytetarët. /2LONLINE/