-Mësues, pedagog i shquar i Anamoravës si dhe përkushtues i bletarisë-
Si pensionist, aktivitetin e vet e orientoi në edukimin dhe zhvillimin e bletarisë, shoqatën e së cilës e themeloi më 15 maj 1976, duke punuar në këtë lëmë në mënyrë të vazhdueshme.
-Tefik Shefki Kallaba u lind më 10 gusht 1922 në fshatin Roganë, të Dardanës. Shkollën fillore katërvjeçare e kreu në Hodanoc, me mësim në gjuhën serbe. Kjo shkollë ishte paralele e shkollës popullore shtetërore të Domorocit. Shkollën fillore katërvjeçare e përfundoi (me sukses të shkëlqyeshëm) në vitin shkollor 1937/1938.
Duke parë rëndësinë e arsimit, që në moshë të re, shfaqi interesim që aktivitetin e vet ta orientojë në këtë drejtim. Në dhjetor të vitit 1947 Tefiku e themelon, për herë të parë, një shkollë shqipe në fshatin Busavatë të Dardanës, ku kishte përfshirë rreth 80 nxënës, djem e vajza, moshash të ndryshme, me të cilët punon në dy ndërrime.
Vullneti për të dëshmuar pjekuri dhe sakrificë për përhapjen e diturisë te një brez, i cili për herë të parë në jetën e tij po ballafaqohej me mësuesin, me librin, me shkronjat që ishin krejt ndryshe nga ato arabe që i kishin hasur te hoxha i fshatit, bëri që, mësuesi Tefik, të ishte aktiv edhe me nxënës, edhe me prindër, e pse jo edhe në përgatitjen e objektit të shkollës. Përpilimi, gjithherë me kohë, i planprogramit mësimor si dhe zbatimi i tij i përhershëm, deri në pensionimin e mësuesit Tefik, do të jetë dëshmia më e mirë për atdhedashurinë dhe për kombëtarizmën e tij.
Mësuesi Tefik, së bashku me plejadën e parë të mësuesve të pas Luftës së Dytë Botërore, që nënkuptonte realitetin: një mësues – një shkollë, ishte njëri nga ata që po e demantonin mitin qindravjeçar se në Kosovë po ekzistuaka vetëm alfabeti cirilik dhe arab ose turk.
Mësuesit shqiptarë të Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore ishin gjenerata më sakrifikuese e mësuesve. Para tyre gjendej një armatë analfabetësh, në kohën kur edhe vetë mësuesit e kohës nuk kishin arritur të bënin shkolla të rregullta profesionale për mësues. Prandaj, për këtë organizoheshin kurse dhe seminare verore për aftësimin e vazhdueshëm të personelit arsimor.
Si shumë të tjerë edhe mësuesi Tefik, në vitet e 60-ta, pa shkëputje nga puna, ndoqi kurse të ndryshme pedagogjike në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë e Gjilan, dhe kështu ai përgatitej për provimet e Gjimnazit dhe të Normales.
Në shtator të vitit 1963 kishte kryer Gjimnazin, kurse në gusht të vitit 1964 u diplomua edhe në shkollën Normale të Gjilanit.
Në procesin arsimor punoi që nga viti 1947 deri më 1974 në fshatra të ndryshme të komunës së Kamenicës, Preshevës dhe Ranillukut.
Mësuesi Tefik Kallaba ishte krenar për rezultatet e arritura në arsim dhe se kulmi i krenarisë së tij ishte që, krahas një plejade të arsimuarish, pas vete la edhe fëmijët e vet të arsimuar dhe arsimdashës. Nga ky mësues kanë dalë shumë e shumë intelektualë, si: profesorë, doktorë, magjistra dhe doktorë shkencash, deputetë dhe patriotë që tërë jetën ia kanë kushtuar çështjes kombëtare.
Më 27 shtator 1982, në takimin e parë të punëtorëve veteranë të arsimit të Kosovës iu nda Mirënjohje për kontributin e dhënë në përparimin e arsimit dhe të edukimit në Kosovë. Mirënjohja ishte e firmosur nga Sali Nushi, Ministër i Arsimit i Kosovës.
Tefik Kallaba, kudo që zhvilloi aktivitetin e vet adukativo arsimor, kultivoi edhe dashurinë dhe respektin ndërnjerëzor dhe atë kombëtar. Me autoritetin që kishte, në odat e fshatarëve Tefiku ishte vazhdimisht i pranishëm, aq sa për ta begatuar me muhabet konakun, po aq edhe për t’i ndezur flakadanët e diturisë në masat e gjera popullore. Biblioteka e tij ishte në shërbim edhe të nxënësve të tij. Bile, ndonjë fundvit, kur shkolla nuk planifikonte shpërblimin e nxënësve shembullorë, mësuesi Tefik, nxënësit e vet i shpërblente me librat nga vitrina personale.
Mësuesi Tefik nuk parapëlqente braktisjen e tokave stërgjyshore dhe shpërnguljen në kryeqytet ose jashtë vendit. “Atdheu është aty ku banon qytetari i tij, prandaj duhet ndërtuar një program kombëtar për politikën e migrimit brenda Kosovës”, kishte përsëritur ai disa herë gjatë jetës dhe punës së tij.
Si pensionist, aktivitetin e vet e orientoi në edukimin dhe zhvillimin e bletarisë, shoqatën e së cilës e themeloi më 15 maj 1976, duke punuar në këtë lëmë në mënyrë të vazhdueshme. “Zhurma” e bletëve si dhe organizimi i punës me bletë, njësoj sikurse edhe me nxënës (përpilimi i planprogramit të punës i shtjelluar në plan vjetor, mujor, javor e ditor), ma hiqte mallin e punës me nxënës, të cilën për arsye shëndetësore nuk munda ta ushtroja edhe më tutje“, kishte thënë me një rast mësues Tefiku.
Sidoqoftë ai ishte i lumtur që banonte në afërsi të shkollës, dhe kënaqej me zhurmën e nxënësve, kurse mungesën e nxënësve ia zëvendësonin bletët, të cilave shpesh u afrohej afër kosheres dhe e dëgjonte punën e tyre.
Me bletari ishte marrë shumë seriozisht saqë për secilën koshere kishte përgatitur, ashtu sikur edhe për nxënësit, planin vjetor, tremujor, mujor, javor e ditor të punës me bletë. Në vazhdimësi kishte përcjellë punën e bletëve, por edhe nevojën që kishin ato për njeriun.
Shpeshherë përkthente udhëzime pune nga serbishtja në shqip dhe ua shpërndante bletarëve shqiptarë që të mund të punojnë me bletë.
Ishte kryetari i parë i shoqatës së bletarëve në Komunën e Kamenicës, të cilën e themeloi me rreth 50 bletarë dhe e la me mbi dyqind bletarë. Merrte vazhdimisht pjesë në seminare dhe panaire bletarësh që organizoheshin në nivel Kosove.
Në vitin 1978/79 vizitoi mbi 50 fshatra të Komunës së Kamenicës me rreth 2000 familje bletësh, për të parë nga afër shëndetin dhe gjendjen e bletëve në komunë.
Porosia e tij ishte që çdo nëpunës arsimor, komunal etj. të merret me bletari dhe të kultivojë së paku dy-tri familje bletësh. Me ardhjen e Halil Dërmakut në kryesinë e bletarëve ai fitoi një krahë të fortë, të cilit, si të thuash, ia la në dorë gjithë veprimtarinë e bletarisë në Kamenicë.
/Rexhep HASANI/