Disa nga përfaqësuesit e partive politike në Preshevë, shprehin shqetësim ndaj shkarkimeve të këshillave drejtuese nëpër organizata publike nga organi i përkohshëm që administron me komunën e Preshevës.
Anëtarët e PVD-së dhe PDSH-së janë duke bojkotuar punën e organit të përkohshëm dhe thonë se zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë.
Ardita Sinani, kryetare e degës së PVD-së në Preshevë është shprehur se janë duke e përcjellë punën e organit të përkohshëm ndërsa vendimet e shpallura në fletoren zyrtare janë jashtëligjore dhe se kërkon sa më shpejt të shpallen zgjedhjet.
Edhe Ilir Sadriu, nënkryetar i Partisë Demokratike Shqiptare vlerëson se zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e mirë e kësaj situate.
“Nga fillimi e kemi bojkotuar këtë organ dhe jemi duke e përcjell çdo veprim te tij. Konsiderojmë se emërimet e këshillave dhe drejtorëve në institucione të ndryshme, nuk janë në përputhje me ligjet dhe si PDSh vlerësojmë se zgjidhja më e mire janë zgjedhjet për komunën e Preshevës”, theksoi Sadriu.
Kryetar i Degës së sapoformuar të Partisë Demokratike në Preshevë, Xhelal Memeti për shkarkimet dhe emërimet e organit të përkohshëm, fajëson pushtet e kaluara që sipas tij nuk kanë zgjedh me kohë drejtorët por ushtrues detyre.
Përfaqësuesit e organit të përkohshëm i përbërë prej 5 anëtarëve nuk kanë dashur t`i komentojnë zhvillimet e fundit.
BURIMI: Titulli.com