Në ditën e fundit të vizitës në Zvicër, zv. kryeministri i Kosovës / Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike është takuar me Manuele Tornare, deputetin e Parlamentit Federal Zviceran, deputet në Asamblenë e Këshillit të Evropës dhe ish kryetar i Gjenevës.
Me Tornare, ministri Dardan Gashi i shoqëruar edhe nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko kanë diskutuar projektet e Universitetit Popullor Shqiptar në lokalet e të cilit u mbajt edhe takimi, në veçanti futjen e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër si program integral i kurikulës së shkollave në Zvicër.
“Në udhëtimet që kemi pas deri tani, na u ka dhënë mesazhi se në të gjitha shtetet ku mësimi i gjuhës shqipe është institucionalizuar, aty ka pjesëmarrje më të madhe të fëmijëve në këto shkolla. Kërkojmë nga ju që të diskutoni këtë çështje me ministrin Federal dhe kantonal, që kjo të bëhet edhe në Zvicër, ashtu që mësimi i gjuhës shqipe të jetë pjesë e programit institucional të Zvicrës”, tha Gashi.
Deputeti Tornare premtoi se këtë do ta diskutojë me ministrin përkatës, ndërsa informoi dy ministrat edhe për punën dhe ndihmën që shteti zviceran i ka dhënë Kosovës.
“Ne respektojmë kërkesën për vetëvendosjen e popujve dhe pavarësinë e tyre në rastet kur ajo është e drejtë dhe e justifikuar sikurse në rastin e Kosovës”, tha Tornare.
Ministrat Gashi dhe Majko po ashtu takuan edhe kryetarin e Odës Ekonomike Zvicerano – Kosovare, Stephan Sarkany si dhe një grup të investitorëve potencial, me të cilët diskutuan projekte konkrete dhe vizita të përbashkëta të investitorëve nga Zvicra dhe Franca në Kosovë dhe Shqipëri në fushat e shëndetësisë dhe aftësimit profesional.
“Ne kemi një ligj specifik për investime strategjike tani në Kosovë, dhe në këtë fushë besoj se së shpejti do të kemi punë konkrete si rezultat i bashkëpunimit tonë”, theksoi Gashi.