Në kuadër të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës…”, u realizua “Talia Diskutimi 2024”, në organizim të nikoqirit e organizatorit – OJQ “Varg e Vi”.
Mysafiri i veçantë ishte aktori i shquar dhe regjisori shqiptar Orhan Kurtuldu, familja e të cilit emigroi nga Gjilani në Turqi me mbiemrin Demiri në vitin 1968, ku edhe vazhdoi shkollën fillore, të mesme dhe nivelet e tjera universitare.
Prezantimi përfshinte krijimtarinë artistike dhe veprimtarinë e tërësishme të tij në Turqi, përfshirë jetën akademike, sfidat e peripecitë, por edhe sukseset që e kanë përcjellë ndër vite e dekada, i cili prezantim u prit me shumë interesim.
Ndër veçoritë e prezantimit ishte fillimi i karrierës prej artisti, për ç’gjë, me emocione të papërshkrueshme, Kurtuldu ilustroi atë pjesë të përvojës vetanake teksa i ishte nënshtruar provimit pranues në njërin nga institucionet kredibile arsimore turke, Akademisë së Arteve në Stamboll.
Ndonëse me vështirësi arrinte të pasqyronte tregimin e tij jetësor e profesional ndër vite e dekada, me një shqipe relativisht të mirë në artikulim, edhe pse të vështirë në mbarështrim e vokabular, ai arrinte me sukses të mbante ‘pezull’, madje ‘në ethe’ të pranishmit gjatë rrëfimit, me një numër fare të kufizuar fjalësh kuptimplotë, që ia kishte dalur me sukses t’i ruante në mbamendje nga fëmijëria nostalgjike e lagjes së Balecit në Gjilan!
Sipas nikoqirit, OJQ “Varg e VI”, “Prezantimi dhe diskutimi me mysafirin, Kurtuldu, ishte një nga pikat kulmore të festivalit të dramës “Talia e Flakës 2024”, pasi shpërfaqte refleksione mallëngjimi për atdheun e rrugët e Gjilanit, nga emigrimi i hershëm i familjes, nga fotografia e kahershme me nxënësit e klasës, përvojat personale në skenë deri te shpirti i teatrit në shoqërinë moderne turke.”
Pjesëmarrësit e shumtë në prezantim e diskutim u interesuan për një sërë temash të prezantuara fillimisht nga aktori Kurtuldu, ndërsa u bënte përshtypje të mësojnë edhe lidhur me karrierën e tij në një shtet të madh si Turqia, me kulturë të begatë, si dhe një qytet/metropol si Stambolli, në të cilin jeton e vepron aktori.
“Në fund, pjesëmarrësit bënë fotografi me aktorin e spikatur, i cili u shpreh i emocionuar me pritjen dhe prezencën e tij në Gjilan, ndërsa mirënjohës e falënderues ndaj bashkëvendësve të, fëmijërisë, gjithnjë krenar që pas 55-vitesh në Turqi nuk e ka harruar gjuhën e nënës.
“Trupin e kam në Turqi, por ama mendjen e zemrën i kam në Kosovë, në Gjilan”, tha Kurtuglu, ndërsa u përgjigjej interesimeve të mysafirëve prezentë që kishin mbushur sallën e vogël të Teatrit të Qytetit në Gjilan. /2LONLINE/