Sot në Tiranë, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Burim Ramadani u prit në takim zyrtar nga zëvendësministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Petro Koçi. Në takimin e përbashkët ishte edhe zëvendësministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, z. Bekim Maksuti.
Takimi në Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes kishte karakter diskutimi të përbashkët mbi përvojat në rajon në rrugën e integrimeve në NATO dhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis shteteve në çështjet e politikave të sigurisë dhe mbrojtjes.
Zëvendësministri Ramadani vlerësoi lartë takimin konsultues të këtij formati, duke theksuar dëshirën për zgjerimin e përfaqësimit edhe të shteteve tjera në rajon. „Rajoni ynë dhe shtetet tona kanë nevojë të vazhdueshme për shkëmbimin e përvojave në proceset integruese, si dhe thellimin e bashkëpunimit për të promovuar vlerat perëndimore të rajonit“, tha zv. ministri Ramadani.
Ai, theksoi se Kosova është e përkushtuar në rrugën drejt NATO-s, dhe se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në NATO, është alternativa më e sigurt për zhvillimin e rajonit të sigurt dhe prosperues.