Analisti dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se arrestimi i shtetasve të Malit te Zi, të implikuar edhe me shërbimet inteligjente serbe është një lajm i mirë, nga se kjo tregon qe po funksionojnë institucionet që kanë obligim ligjor ta ruajnë shtetin, qytetarët dhe pronën e tyre, nga aksionet subversive të shërbimeve armiqësore.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës, duhet të jenë vigjilent për anomalit që po qarkullojnë përreth tyre dhe t’i raportojmë në organet kompetente. Kjo do të rriste efikasitetin e punës së organeve tona të ruajtjes dhe zbatimit të ligjit.
Sipas Kajtazit, veprimet e shërbimeve të huaja në një territor të huaj, në këtë rast në Kosovë, e kanë të pamundur aktivitetin nëse nuk kanë paraprakisht rezidenturat e tyre të krijuara nga individë të popullatës vendase.
Në këtë rast, thotë ai, duhet të përjashtohet veprimtaria e serbëve lokal në këtë drejtim, pasi për shkak të pozitës së tyre, ata kanë obligim të ndihmojnë veprimtarinë subversive të shërbimeve serbe në Kosovë, edhe kjo do te ishte me pasoja minimale.
“Aktiviteti me intensitet të lartë – shkatërrues në drejtim të Kosovës nga ana e shërbimeve serbe ka efikasitet nëse ndihmohet nga shqiptarët të cilët për të pasur sukses zakonisht janë të veshur me kauza të mëdha patriotike, të intelektualëve “parexelance” të veprimtarëve të çështjes kombëtare, të gazetarëve të varur e të pavarur etj”, thotë tutje Kajtazi.
Kjo kategori, sipas tij, bënë kërdi në jetën shoqërore të një vendi siç është Kosova, pasi që objektivi kryesor i shërbimeve serbe është sabotimi i funksionimit të shtetit të Kosovës, me qellim që situata të bëhet e ngrireë, për t’i krijuar favore Serbisë për t’u konsoliduar në rrafshin e brendshëm politik, ekonomik, në mënyrë që të prolongojë konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtare të Kosovës, duke vështirësuar rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, që një shteti i japin vulën e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Fakti se me te arrestuarit ndodhet edhe një shqiptare, shtetas i Republikës së Kosovës, flet shume”, përfundon Kajtazi.