Njëri ndër kandidatët, që do të jetë pjesë e garës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, e që synon të jetë pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, është edhe Vehbi Salihu. E veçanta e këtij kandidati është se ai këtë e synon për të pestën herë.
Salihu ishte pjesë e Kuvendit Komunal në katër mandatit e para prej se ishte themeluar ky organ më i larti në komunë, në të cilën kishte dhënë kontributin e tij dhe se tani synon të jetë sërish pjesë e këtij organizmi, për të vazhduar me kontributin e tij politikë në të mirë të qytetit të tij dhe qytetarëve gjilanas.
Salihu është pjesë e Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe pasi ka marr besimin brenda partisë për të qenë pjesë e listës garuese për asamble komunale në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ai do të synojë ta merr besimin edhe të qytetarëve gjilanas, që siç thotë ai, do ta kthejë po me besim, siç e ka bërë edhe përgjatë mandateve sa ishte kuvendar pikërisht falë votës së atyre që i kishin besuar.
I pyetur nga 2LONLINE, se çfarë e shtyu të kandidohej për pozitën e anëtarit të KK-së, Salihu thotë se situata momentale e rëndë në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe nevoja për me pas ky organ vërtetë anëtarë që angazhohen pa hile për interesin e qytetarëve, e ka bërë që të vendos t’i hyjë një gare të tillë, për me marr besimin qytetarë që atë besim me e dëshmua, pikërisht para tyre, se interesat e tyre do të përfaqësohen denjësisht në Kuvendin Komunal përgjatë gjithë mandatit.
“Kuvendi është i qytetarëve dhe ata do të duhej të jenë pjesë e kuvendit në çdo moment të funksionimit të saj dhe se aty duhet të trajtohen të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për ta, për mirëqenien e tyre”, ka thënë Salihu, sipas të cilit, anëtar i kuvendit duhet të jetë zë i qytetarëve, duhet të jetë vet kërkesa dhe interesi qytetar, e jo interesat e individëve, klaneve apo grupeve të ndryshme të interesit.
Ai thotë se fokusi i tij do të jetë kryesisht në ato fusha që do të kenë të bëjnë me shërbimet publike, me zhvillim ekonomik, me punësimi, pasi edhe programi i subjektit të tij AKR-së, i ka të kristalizuara këto gjëra, dhe ku angazhimi i tij si kuvendar do të jetë që ky organ ta kryej si duhet atë për çfarë është edhe i thirrur, në mënyrë që në këto fusha të kemi jo vetëm përmirësime nga gjendja kaotike aktuale, por edhe prosperim dhe avancim të përhershëm e të pandashëm.
“Pra, do të duhej të vije koha që jo të merremi përherë me situata emergjente, tejkalime të tyre, me improvizime të situatave të krijuara, por thjeshtë me zhvillim të hovshëm e afatgjatë në këto fusha, shërbime të mira, korrekte, me krijimin e mundësive për zhvillim ekonomik, thjesht me të gjitha ato që do të duhej të ishin normale në kuptimin e asaj çfarë jemi të thirrur si Kuvend dhe si qeveri lokale, për të ofruar për qytetarin, i cili na beson dhe na obligon me votë, andaj nuk duhet nëpërkëmbur këtë”, ka thënë Vehbi Salihu i AKR-së.