Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me detyrë në Stacionin Policor Mitrovicë të Veriut, suspendohen me vendim të drejtorit të policisë, mbi bazën e dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Suspendimi i zyrtarëve policorë vije si rezultat i pamjeve të publikuara në disa portale dhe rrjetet sociale, të cilat tregojnë pamjet se si zyrtarë policorë në uniformë, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kalojnë kohën në një lokal/sport-klub.
Vendimi mbi suspendimin e tyre të përkohshëm deri në 72 orë, është lëshuar sot, nga Drejtoria Rajonale e Policisë-Mitrovicë të Veriut, mbi bazën e dyshimit, se të njëjtit, në kohën e detyrës zyrtare, në uniformë zyrtare, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me ç ‘rast kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore të paraparë në bazë të Udhëzimit Administrativ mbi “Shkeljet, masat dhe procedura disiplinore në Policinë e Kosovës”.
Veç suspendimit të përkohshëm, Stacioni Policor Mitrovicë- Veri, inicion procedurën për hetim të shkeljeve të supozuara ndërsa procedurat tjera të hetimeve të brendshme disiplinore do të udhëhiqen nga hetuesit policorë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale.
Vet-disiplina dhe disiplina organizative, janë elementet bazë mbi të cilën ndërtohen vlerat e Policisë së Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit, prandaj veprimet e tilla, shkeljet e tilla disiplinore nuk do të tolerohen dhe si të tilla do të jenë të ndëshkueshme. /2LONLINE.com/