Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bënë sqarim rreth deklarimit të ministres, në Ministrisë e Drejtësisë në Republikën e Serbisë, Nela Kuburoviq, e cila është deklaruar lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, ish Kryetar i Iniciativës Qytetare (SDP), duke theksuar se Prishtina ka refuzuar të kryejë veprimet hetimore bashkë me Beogradin, për këtë çështje.
Prokuroria e Shtetit, pas rastit të ndodhur, i ka paraqitur disa kërkesa organeve kompetente të Republikës së Serbisë, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, por deri më tani kemi pranuar vetëm disa informacione, të cilat nuk janë thelbësore për ndriçimin e rastit, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me IMEI, SMS, hartografi, si dhe hyrje/dalje.
Gjithashtu, me qëllim të bashkëpunimit dhe ndriçimit të tërësishëm të rastit, njëra nga kërkesat është përsëritur, e që ka të bëjë me hyrjet/daljet dhe SMS-të e numrave, që kanë qenë në pronësi të viktimës, Oliver Ovanoviq.
Po ashtu, i pandehuri Millan Radoiçiç, është intervistuar nga organet shtetërore të Serbisë, pa kërkesë të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës, ndaj të cilit është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, edhe përkundër faktit se në takimet zyrtare mes policisë së Kosovës dhe Serbisë, policia e Serbisë ka deklaruar se nuk e njeh të pandehurin Millan Radoiçiç, me arsyetimin se i njëjti është shtetas i Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, pala serbe ka kërkuar dhe pranuar nga Policia e Kosovës, klonimin e gëzhojave nga vendi i ngjarjes, mirëpo Prokuroria e Shtetit ende nuk ka pranuar raport për këto ekzaminime.
Prokuroria e Shtetit, edhe më tej është e gatshme për bashkëpunim me organet kompetente të Republikës së Serbisë dhe është e përkushtuar për ndriçimin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.