Se gjendja në shëndetësi në përgjithësi është e rëndë, pothuajse e mjerueshme, për këtë nuk duhet të harxhojmë shumë fjalë, por fokusimi im është tek Spitali i Gjilanit i cili dallohet me disa specifika, nonsense të veçanta për shkak të pushtimit nga militantët e partive politike lokale, të cilët “vrajnë dhe kthjellin”, sikur të ishte pronë private.
Shkruan: Zijadin V.Hasani
Pa një sistem shëndetësor të qëndrueshëm, të zbatueshëm, pa sigurime të shëndetit të popullatës të cilat kurrsesi të realizohen nga fjalët e premtimet e të gjitha qeverive, partive politike u hap rrugë militantëve partiak, manipulatorëve nëpër spitale të përgjithshme që të shpërfaqin primitivizmin, manipulimet dhe injorancën e tyre.
Kjo gjendje në shëndetësinë tonë i ngjason kështjellës së Rozafës e cila ndërtohej ditën kurse prishej natën dhe ne presim e presim të vij Plaku i Mirë, shpëtimtari ynë të na i zgjidh problemin në shëndetësi. Kështu që vjen një qeveri ndërton diçka, pastaj vjen tjetra ose s’bën gjë ose e prish fare dhe kjo pambarim po vazhdon deri në ditën e sotme. Kush do ta mbaj premtimin, besën duhet akoma të presim deri sa të zgjohemi nga “Gjumi dimëror”.
Çka po ndodhë në spitalin e Gjilanit? Ç’ka specifike, të veçanta këtu vallë? Në spitalin e Gjilanit u rikthyen shkatërrimtarët e mëhershëm të tij, thjeshtë njerëz pa Skrupuj , të cilët qëllim kryesor nuk e kanë përmirësimin e kualitetit të shërbimeve spitalore porse thjeshtë të sundojnë dhe shpërfaqin primitivizmin, injorancën e cila në fund çojnë në degradimin profesional dhe etik të spitalit.
Kohë më parë Spitali ynë shpalli konkurs për përzgjedhjen e drejtuesve të reparteve të spitalit. Që në fillim, gjatë testimit me shkrim dhe intervistimit u panë qartë manipulimet, kurdisjet e rezultateve të vlerësimit nga ana e Komisionit Përzgjedhës i spitalit të Gjilanit. Se sa serioze, kompetitive ishte Komisioni Përzgjedhës shihet se në përbërje të saj u mor edhe Infermiere e cila duhej të përzgjedhë specialistët e reparteve të spitalit gjë që qartë duket se u caktua me qëllim të manipulimit më të lehtë.
Doli në fund se vetëm të preferuarit e Komisionit, drejtorisë së spitalit ishin fituesit, më të mirët, pra u zgjodhën ata që ishin të afërt me udhëheqjen e spitalit, ata që intervenuan. Vlen të thuhet se në intervistë Komisioni fare nuk u bazua në arritjet profesionale të kandidatëve por vetëm në përkatësinë partiake, farefisnore dhe të intervencave të hapura, të cilat askush nuk i fshihte, bile disa krekoseshin me to. Pati, gjithashtu, kërcënime, shantazhime të disa kandidatëve nga ana e Komisionit Përzgjedhës që të mos konkurrojnë kot sepse ata që do të fitojnë janë të zgjedhur qysh më parë.
Kjo mënyrë e menaxhimit, drejtimit të spitalit, ngjashëm si tek partitë politike,pra në mënyrë manipulative, primitive, duke shpërfillur kriteret bazike të zgjedhjes dhe të vlerësimit, aq më tepër të një spitali rajonal flet për degradim goxha të rëndë profesional dhe moral. Zgjedhja e kuadrove sipas përkatësisë partiake, familjare, farefisnore, për shkak të borxheve, favoreve që udhëheqja spitalore ka ndonjë individi, pa kurrfarë primese profesionalizmi, posedimi të shkathtësive të duhura, së paku i acaron raportet kolegjiale, humb respekti, disiplina dhe si pasojë bien kualiteti i shërbimeve mjekësore, rritet pakënaqësia mes punëtorëve shëndetësorë, në njërën anë dhe të pacientëve, në anën tjetër.
Çka t’i themi kësaj, a ka më mjerim, rënie kaq poshtë, më idiotizëm se të intervenosh për të udhëhequr një repart dhe një spital ?!
Nonsens i veçantë, gjithashtu është heshtja mortore e Sindikatës së punëtorëve shëndetësorë, përkundër shumë problemeve, parregullsive, diskriminimit të punëtorëve ,e cila kryesisht merret vetëm me organizimin e ekskursioneve!!!
Pra spitali ynë mund të krahasohet dhe me një Klub futbolli, marrë parasysh manipulimet, kurdisjet e rezultateve, por ne na mungon Tombolla dhe disa cikërrime tjera, prandaj dhe ky krahasim nuk i shkon dhe vështirë t’ia gjejmë vendin me ndonjë lëmi serioze!
/Dr. Zijadin V.Hasani, pediatër në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit/