Photo © Peter Adamik
Solokëngëtarja e re gjilanase, Elona Sadiku, ka performuar në Filharmoninë e Berlinit më 06.03.2022, ku është paraqitur me veprën “Mother Theresa” të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, me përcjelljen e harmonikës nga instrumentisti i famshëm gjerman Felix Kroll dhe kori Siparantum, me dirigjent Memli Kelmendi.
Elona, thotë të jetë shumë e lumtur me këtë arritje të sajën së bashku me Korin Siparantum.
Edhe kryesia e korit Siparantum shprehen se janë vërtetë të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale shqiptare, një kor nga Kosova ngjitet në skenën më të rëndësishme të muzikës në Berliner Philharmoniker.
Në këtë skenë kanë përformuar artistët më të mëdhenj të muzikës klasike në botë, e konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Përgatitjet për këtë koncert kanë filluar tash e disa muaj falë vullnetit dhe sakrificës së koristëve vullnetarë por me qëllim të përbashkët të promovimit të vlerave tona kulturore në skenat më të mëdha botërore. Përveç pikave korale të lartpërmendura ata kënduan edhe “Coronation Anthems” nga Handel, ku performuan së bashku me katër kore nga vende të ndryshme të Evropës, nën dirigjimin e dirigjentit të famshëm botëror Simon Carrington. /2LONLINE/