Kampioni i Kosovës Feronikeli do të përballet me Slovan Bratislava në rrethin e dytë kualifikues për garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës, pasi njëlloj si klubi kosovar edhe klubi sllovak u eliminua nga rundi i parë kualifikues për Ligën e Kampionëve të mërkurën.
Ndeshja e parë mes Feronikelit dhe Slovan Bratislavas do të zhvillohet në Sllovaki, të mërkurën, më 24 korrik, në orën 18:00.
Ndërsa, ndeshja kthyese, në “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet gjashtë ditë më vonë, të martën e 30 korrikut, në orën 18:00.
Si rrjedhojë, klubi sllovak do të përballet me Niklin, klubin nga Drenasi, të cilit të martën iu shua ëndrra për ta vazhduar luftën në mënyrë që ta sigurojë një vend në fazën grupore të Ligës së Kampionëve pasi u mund në Prishtinë nga klubi uellsian The New Saint.
Klubi nga Drenasi tani do ta vazhdojë rrugën për ta siguruar kualifikimin në një garë evropiane, Ligën e Evropës, garën e dytë për nga rëndësia.