Ministrja Gërvalla priti ambasadorin amerikan Kosnett, Shtetet e Bashkuara janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, tha të martën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës gjatë mandatit të saj, si drejtuese e politikës së jashtme, jo vetëm në bashkërendimin e politikave në raport me vendet e tjera, por edhe në mbrotjen e interesave të Republikës së Kosovës.
Ministrja Gërvalla i bëri këto komente pas një takimi shumë të përzemërt që zhvilloi me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, z. Philip Kosnett, me të cilin diskutuan tema të ndryshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimet në vend, raportet ndërfqinjësore, si dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy popujve miq.
“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në raport me Republikën e Kosovës është vështirë i përshkrueshëm me pak fjalë, ngase përkrahja amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash. Një Kosovë e fortë, demokratike, ku zbatohet ligji dhe respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar, një Kosovë me mirëqenie dhe e integruar në BE dhe NATO, është interes i yni i përbashkët”, tha znj.Gërvalla.
Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale me pandeminë, si dhe nevoja urgjente për rimëkëmbje ekonomike dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.
Sa i përket normalizimit të marëdhënieve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare ka theksuar nevojën për të zhvilluar bisedime përmbajtesore, të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje që nuk cenon kushtetuetshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të asnjëres palë, si zgjidhje e vetme për paqe të qendrueshme në rajon, fqinjësi të mirë dhe prosperitet për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës. /2LONLINE.com/