Shkolla Fillore “Vatra e Diturisë” në Livoç të Epërm i dhuroi shkollës fillore “Skënderbeu” në Zarbicë disa banka shkollore e karrige.
Pas dëbimit të popullatës së fshatrave të Malësisë së Bujanocit në vitin 1999, edhe shkolla e plotë tetëvjeçare së bashku me paralelet e saja fizike në Priboc, Litesh, Novosellë e Suharrën mbetën pa nxënësit e vet, e rrjedhimisht edhe u mbyllën.
Me kalimin e kohës edhe objektet shkollore u dëmtuan, inventari, po ashtu u dëmtua, u tjetërsua e humbi.
Megjithatë, falë disa familjeve që u rikthyen, e që janë duke jetuar edhe sot në këto fshatra, u mundësua që kohë pas kohe të rihapen shkollat në Novosellë, Suharrën, Zarbicë e së fundmi edhe në Priboc.
Këta nxënës të paktë mësimin e kanë zhvilluar, dhe ende e zhvillojnë, posaçërisht ata të paraleleve të ndara fizike, në objekte private. Vetëm tani, së fundmi, në Suharrën, përkatësisht në lagjen e Tahirajve, me ndihmën e donatorëve e të punës vullnetare të banorëve të lagjes, është arritur që të ndërtohet një objekt të vogël shkollor për fëmijët e kësaj lagje.
Po ashtu, edhe mjetet mësimore si: bankat, karriget, librat, dërrasat e zeza etj., i kanë pasur të pakta, e të vjetra, por megjithatë me ato janë shërbyer.
Këtyre nxënësve, kohë pas kohe u kanë ndihmuar me çanta, libra, lapsa, individë e ndryshëm, njerëzit vullnetmirë, komuna etj.
Në kuadër të këtyre ndihmave modeste, me iniciativën e Ismet Tafilit e Dervish Dervishit, këto ditë, edhe shkolla “Vatra e Diturisë” me drejtor Fadil Musliu, ndihmoi shkollën fillore “Skënderbeu” në Zarbicë me disa banka e karrige shkollore.
Edhe pse, ndoshta, mendohej se do të ketë ndonjë pengesë në kufirin e Muhocit, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkësisë Lokale të Zarbicës, Avni Musliun, iniciativa nuk u ndërpre. Kështu me ndihmën e Latush Krasniqit dhe Nehat Muratit, të cilët bënë transportin e inventarit falas, inventari arriti në shkollën e Zarbicës.
Kjo ndihmë në shikim të parë, mund të themi, se është një ndihmë modeste, megjithatë, këto banka e karrige, mund të vendosen edhe në shkollat: Priboc, Novosellë e Suharrën, paralele të ndara fizike, tani, të shkollës fillore të Muhocit, por edhe mund të vendosen edhe në bibliotekën e Zarbicës që nuk ka asnjë bankë e as karrige, në klasat e shkollës qendrore në Zarbicë, të cilat mund të shërbejnë edhe për takime të kryesisë së Bashkësisë Lokale, të promovimit të ndonjë libri, të takimeve të vendlindjes e takime tjera për banorët e paktë të këtyre fshatrave.
Shkollat e biblioteka kanë nevojë edhe më, për inventarë të tillë, ngase gjithë ai inventarë që ka qenë, siç e thamë më lartë është dëmtuar, është demoluar edhe nga faktorë objektiv e subjektiv.
Për dhurimin e këtyre bankave e karrigeve, kryetari i Bashkësisë Lokale Avni Musliu, falënderon drejtorin e shkollës “Vatra e Diturisë” në Livoç të Epërm, z. Fadil Musliun, veprimtarin e Malësisë së Bujanocit, Ismet Tafilin dhe Dervish Dervishin që morën këtë iniciativë, si dhe Latush Krasniqin Nehat Muratin që bënë transportin e inventarit deri në Zarbicë.
Ai gjithashtu, thekson se, edhe pse është një ndihmë modeste, kjo e ka rëndësinë e vet, sepse, me këtë shihet se ka institucione në Kosovë, që dëshirojnë ta ndihmojnë arsimin si dhe aspektet tjera të nevojave të familjeve të fshatrave të Malësisë së Bujanocit.
Siç dihet këto familje kanë nevojë për gjithçka, sepse këtu jeta është mjaftë e vështirë: nuk ka rrugë, nuk ka ambulancë e infrastrukturë tjetër që i nevojitet njeriut për të bërë në jetë normale. Për të jetuar këtu, njerëzit duhet me pas vullnet të fortë, sepse për çdo ditë ballafaqohen me sfida, si kufiri, largësia nga qytetet urbane, dimrat e ashpër etj., na thotë Avni Musliu. /Ismet Tafili/2LONLINE/