Herolind Shala ka qenë munges e madhe e Kosovës në dy ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “EURO 2020” ndaj Republikës së Çekisë dhe Anglisë.
Futbollisti nga Drenasi u lëndua pak ditë përpara grumbullimit, ndërkohë që i humbi dy ndeshjet. Megjithë përpjekjet për t’u rikthyer në fushën e lojës, dhimbjet e mëdha e detyruan atë që të qëndronte jashtë fushave të blerta, por pranë bashkëlojtarëve.
Shala qëndroi në stol së bashku me bashkëlojtarët në Plzen të Çekisë dhe në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pas përfundimit të këtyre dy ndeshjeve dhe humbjes së mundësisë për tu kualifikuar direkt në “EURO 2020”, 27 vjeçari ka një mesazh për të gjithë tifozët e Kosovës:
“Vetëm të bashkuar mund ta bëjmë ëndrrën realitet. Kemi bërë ndeshje të mëdha, por ky është vetëm fillimi, pasi gjëra edhe më të mira na presin. FALEMINDERIT popullit tonë që në asnjë moment nuk na lanë vetëm. Mars, me padurim po të presim”, ka shkruar Shala.
Kujtojmë që në muajin Mars, Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kombeve.