Të dëbuarit nga Kosova Lindore tash e 21 vite pas dëbimit nga forcat serbe, po ballafaqohen me probleme të shumta, ku njëri ndër ta dhe më kryesori është problemi i dokumentacionit që po i përcjellë si hije e zezë ngado që shkojnë dhe me të drejtë them se kanë mbetur në mes dy zjarreve, në Serbi të njëjtit pasivizohen dhe fshihen nga evidenca, por kjo fare nuk është befasi sepse qëllimi i shtetit serb është diskriminim dhe vështirësimi i jetës së shqiptarëve.
Shkruan: Enver Haziri
Edhe më i dhimbshëm është fakti që këta shqiptarë nuk po pajisen me dokumentacion të shtetit amë të Republikës së Kosovës, ku ky problem në vend që të ulet pas kalimit të gjitha këtyre viteve, ai vetëm sa po shtohet, e që fatkeqësisht tani kjo problematikë ka kapur tre breza, prindërit që u dëbuan në vitin 1999 mbeten pa dokumentacion, fëmijët e tyre po ashtu e tani edhe nipërit e tyre po i përcjellë i njëjti fat.
Kjo në parim nuk duket tragjike por kur hym në thelb të problematikës, shohim që mungesa e dokumentacionit këto breza la pa shkollim, pa punësim, pa integrim në jetën shoqërore, ku nga kjo situatë e vetmja mundësi për këto tre breza është në tregun e punës së krahut si “hamalla”, sa për të jetuar dhe kjo situatë sigurisht se është e padrejtë, e dhimbshme dhe e trishtë, kur e dimë që jemi Republikë qe 13 vite. Andaj i lus të gjitha partitë politike që të kryejnë vullnetin politikë dhe mos të kursejnë angazhimin sepse kemi krijuar dhe po krijojmë shqiptarë të pa dukshëm në Republikën e Kosovës.
Duke e parë këtë situatë, ne të gjithë intelektualët dhe aktivistët që ia dojnë të mirën këtyre banorëve, duhet të bëhemi bashkë duke i bashkuar forcat që njëherë e përgjithmonë në të gjitha institucionet shtetërore dhe lokale të mbrojmë interesat e të dëbuarve nga Kosova Lindore që jetojnë në Gjilan e gjetiu, sepse ne si intelektual dhe aktivist nuk guxojmë që fatin e këtyre brezave t’a lëmë në dorë të askujt pasi që ia kemi borxh vendit tonë dhe brezave qe dhanë shum nga vetja që sot të kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës, por ia kemi edhe obligim shtetit tonë t’ia hapim sytë dhe t’i tregojmë që me vëllezërit e Kosovës Lindore po gaboni shumë, duke i trajtuar si të huaj në shtetin ku aq shumë e deshëm e aq shumë punuam dhe u flijuam bashkërisht.
Prandaj, gjendja e shqiptarëve të dëbuar nga Kosova Lindore që jetojnë në Republikën e Kosovës, duhet t’i shqetësojë të gjitha partitë politike dhe gjithë shoqërinë kosovare dhe në këtë drejtim qeveria dhe Parlamenti i ardhshëm urgjentisht duhet të angazhohen drejt zgjidhjes së këtyre problemeve. /2LONLINE.com/