Ndonëse paralajmërohet që shumë shpejt mund të nis autostrada Gjilan – Prishtinë, kjo nuk u bënë fortë përshtypje banorëve të Malësisë së Zhegocit, të fshatrave Vërbicë e Zhegoc, pasi ata për çdo ditë ballafaqohen me vështirësi të jetës, për shkak të gjendjes katastrofave të rrugëve në këto fshatra.
Kështu shprehet për 2LONLINE, Rexhep Sejdiu, sipas të cilit, kjo pjesë e Malësisë është lënë krejtësisht pasdore, mungojnë investimet që do ua lehtësonin jetën banorëve ët kësaj ane, e kur jemi te rrugët ato janë në gjendje të rëndë.
“Gjendja reale e rrugëve në Malësinë e Zhegocit, fshatrat Vërbicë dhe Zhegoc, me vite të tëra është e rëndë. Nuk ka investime por as mirëmbajtje të rrugëve në të gjitha lagjet e Malësisë. Kemi telashe të mëdha pasi për çdo ditë përballemi me gropa e defekte tjera që e vështirësojnë qarkullimin. Me një fjalë nuk kemi përkujdesje nga Komuna apo Qeveria. Flitet se nëpër këtë Malësi do t’i bije Autostrada, që për neve nuk qon peshë, derisa rrugët nëpër lagje i kemi për mjerim”, ka thënë Sejdiu.
Ai po ashtu tha se kanë pasur më parë transportin humanitar të nxënësve nga Malësia për në Gjilan, por nuk e kanë më këtë, dhe duke e ditur gjendjen ekonomike të banorëve të kësaj ane, kjo paraqet vështirësi edhe në shkollimin e mëtutjeshëm të tyre. Po ashtu, ai tha se mungesa e infrastrukturës bazike, investimet tjera, jeta e rëndë… bënë që të ketë edhe largime nga fshatrat e kësaj ane, për të jetuar në Gjilan e gjetiu.
“Me një fjalë asgjë nuk po bëhet për Malësinë e Zhegocit, ish krenarinë e Karadakut. Është momenti i fundit që institucionet të reflektojnë dhe të investojnë në këtë pjesë, për të lehtësuar jetën e banorëve e me këtë edhe pengimin e shpërnguljes së tyre”, thotë Rexhep Sejdiu, nga Vërbica e Zhegocit.