Saktësisht, sot një muaj (26 mars), Përfaqësuesja e Kosovës në futboll zbret në Shkup për ta zhvilluar njërën nga ndeshjet më të mëdha në histori të saj.
Kosova ballafaqohet me Maqedoninë e Veriut në kuadër të ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, sfidë kjo që i hap pastaj rrugë për një finale të madhe e cila pritet të zhvillohet në Gjeorgji ose Bjellorusi.
Ndihmëstrajneri te Kosova, Muharrem Sahiti ka thënë se gjendja e futbollistëve është shumë e mirë, derisa atë e gëzon rikthimi i Arbër Zenelit, i cili po beson se deri atëherë do ta kap formën e dëshiruar.
“Jemi një muaj para ndeshjes dhe momentalisht jemi të kënaqur me gjendjen e futbollistëve. Shpresojmë se deri atëherë, të gjithë të kenë shëndet të mira pasi forma e tyre është në nivel. Tash është kthyer edhe Arbër Zeneli që mbetet të shohim se për këtë muaj sa do të aftësohet, derisa Hekuran Kryeziu është rikthyer më herët që është lajm i mirë për ne”, ka thënë fillimisht Muharrem Sahiti për Zërin, duke shtuar se stafi është duke e vëzhguar dhe analizuar gjendjen e çdo futbollisti dhe minutazhën e tyre në fushë.
“Jemi duke e përcjell gjendjen e çdo futbollisti tonë dhe kemi kontakte të vazhdueshme me ta, por sigurisht edhe situatën e kundërshtarin. Shpresoj se deri në zhvillimin e ndeshjes të mos kemi probleme me shëndetin e lojtarëve tanë. Sigurisht që si trajner ne gjithmonë kërkojmë shumë më shumë minutazh në fushë, por realisht tash për tash jemi shumë të kënaqur me minutazhën e tyre”, ka thënë Sahiti, duke folur më pas edhe për gjendjen e Vedat Muriqit, i cili ka disa ndeshje që nuk ka shënuar te skuadra e Fenerbahces, po kjo nuk është aspak shqetësuese për stafin e Kosovës.
Ai e ka përcjellur me vëmendje lojën e Muriqit.
“Unë e kam parë ndeshjen e fundit që ai e zhvilloi kundër Galatasaray dhe ajo që na gëzon është se forma fizike e tij është e jashtëzakonshme. Ai po punon shumë dhe shpresojmë se golat që nuk i ka shënuar në ndeshjet e fundit t’i kompenzoj me ekipin kombëtar”, ka vlerësuar bashkëpunëtori i Bernard Challandes.
Sipas Sahitit, Kosova do të tubohet më 23 mars.
“Deri më 22 mars lojtarët kanë ndeshje, kështu që grumbullimin e presim ta kemi me 23 dhe ndeshja luhet me 26 mars, pra është pak kohë e shkurtër por besojmë se gjithçka do të shkojë në aspektin pozitiv dhe do t’ia dalim ta kalojmë si duhet atë ndeshje të madhe. E dimë që do të jemi të hendikepuar pasi lojtarët do të kenë ndeshje në klubet e tyre dhe na mbetet pak kohë për t’i përgatitur të dyja ndeshjet. Por e dimë rendësin e kësaj finaleje para finales tjetër të madhe”, ka përfunduar Muharrem Sahiti.