Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pranoi pajisje mjekësore për realizimin e ekzaminimeve urodinamike- donacion nga organizata Rotary Club Prishtina Newborn, të cilat kushtojnë 59 mijë euro.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, falënderoi donatorët për ndihmën e ofruar, derisa tha se pajisjet e reja do të ofrojnë mundësi për shërbime të reja mjekësore.
“Bashkëpunimi mes Rotary Club Prishtina Newborn dhe Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike është një shembull i mirë. Ju premtoj dhe do të bëj gjithçka që të gjitha pajisjet mjekësore dhe donacionet tjera do të përdoren vetëm sipas destinimit dhe do të kujdesemi që t’i mirëmbajmë ato”, theksoi Krasniqi.
Stephen R. Hemphill, në emër të Rotary Club Prishtina Newborn foli për sfidat dhe vështirësitë në implementimin e projektit, për shkak të situatës me COVID 19.
Por, u shpreh i lumtur që më në fund pajisjet mjekësore mbërritën në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe projekti u realizua me sukses.
“Pavarësisht se Pandemia COVID-19 e ka penguar punën tonë, ne arritëm që këtë projekt ta përmbyllim me sukses”, deklaroi Hemphill. /2LONLINE.com/