“Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka arritur që në periudhën e parë të vitit t’i mbështesë në forma të ndryshme mbi 800 fermerë në kultura të ndryshme bujqësore”, ka thënë sot, në konferencën me gazetarë, drejtori i këtij resori, Ramiz Ramadani.
Ramadani ka thënë se politika qeverisëse me mbështetje të fuqishme të kryetarit Lutfi Haziri, ka bërë që bujqësia e Gjilanit të ndryshoj, duke pretenduar që gjatë këtij viti të shënojnë një rritje në krahasim me vitin e kaluar, sa i përket investimeve në sektorin e bujqësisë.
“Me mbështetjen e fuqishme nga kryetari Lutfi Haziri, por, edhe me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë, kemi një interesim jashtëzakonisht të madh të bujqve që asnjëherë më parë nuk ka qenë në këtë nivel. Këtë vit kanë aplikuar 979 fermerë për subvencionet e Ministrisë përkatëse. Stafi i Drejtorisë, me të gjitha kapacitetet që ka, është duke punuar në mbështetjen e fermerëve, informimin, trajnimin dhe përgatitjen e tyre që kultura bujqësore me të cilën ata merren të jetë e bereqetshme”, ka thënë ai mes tjerash.
Ramadani ka falënderuar edhe donatorët e shumtë të cilët me prezencën e tyre në të gjitha mënyrat, e posaqërisht në aspektin financiar, kanë ndihmuar ndryshimet pozitive në bujqësinë e Gjilanit.
Sivjet janë mbjellë 50 hektarë me vishnje
“Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me USAID-in përmes programit Agro dhe në bashkëpunim me ndërmarrjen “Calabria”, këtë vit kemi ngritur 50 hektarë me vishnje, varietete hungareze të cilësisë ekstra që presim rendimente të konsiderueshme gjatë të ardhmes”, ka thënë Ramadani.
Ai, gjithashtu, ka thënë se rendimentet e vishnjes do të jenë me një treg të siguruar përmes kontratave që do të nënshkruhen me fermerët prodhues për një periudhë 15 vjeçare.
Drejtori Ramiz Ramadani ka përmendur subvencionimin e mbjelljeve pranverore ku kanë përfituar rreth 400 fermerë, pastaj projekti i furnizimit me foli prastike, ku kanë përfituar 325 fermerë, është bërë kompenzimi i dëmeve për 100 fermerë dhe mbështetje tjetër në forma të ndryshme për një numër shumë të madh të fermerëve gjilanas.
Në fund të majit hapet tregu i prodhimeve vendore – 15 shtande vendosen në qytet
“Në fund të muajit maj do të bëhet hapja e tregut të prodhimeve vendore nga bujqësia dhe do të jetë i hapur deri në mbylljen e sezonit me darkën e falënderimeve”, ka bërë të ditur Ramadani, derisa ka falënderuar GiZ-in dhe DZHE-në për përgatitjen e 15 shtandeve për ekspozim.
Në proces të implementimit është edhe projekti për furnizim për 35 bletarë me centrifuga elektrike.
Moment sfidues ka qenë, sipas drejtorit, koha e reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta ku kemi dëmtim të kulturave bujqësore në një vlerë rreth 540 mijë euro, që presim kompenzim nga ministria e Bujqësisë.
Pyjet nën inspektim të rrept nga Komuna e Gjilanit
Sa i përket pyjeve të komunës së Gjilanit, drejtori Ramadani, ka thënë se janë shqiptuar 156 fletëparaqitje, prej të cilave 121 për kundërvajtje, 21 penale dhe 14 për transport. Gjithashtu, siç ka bërë të ditur ai, janë 10 raste të konfiskimit të masës drusore me rreth 25 metra kubë.
Sa i përket prerjes së masës drusore është caktuar zona kadastrale në Zhegoc për një sasi prej mbi një mijë e 600 metra kub dru.
“Të gjitha procedurat janë ndjekur, pritet vetëm shpallja e tenderit”, tha ai.
Inspektorët e drejtorisë janë gjithnjë në terren në zbatim të ligjit
“Therrtoret, mishtoret, fabrikat e përpunimit të mishit, marketet, hotelet, restdorantet, gjelltoret dhe të gjithë ata që merren me përpunimin dhe përgatitje të mishit janë nën vëzhgim dhe inspektim të zyrtarëve të drejtorisë.
Drejtori Ramadani në fund të konferencës ka vlerësuar se Drejtoria e Bujqësisë ka vepruar me kapacitete të plota për çka ka falënderuar stafin e drejtoisë i cili ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për kushte më të mira për fermerin e Gjilanit.