Pse vendosa të konkurroj për KRYETAR KOMUNE?! E pse de ?
Njëri premtoi (premtimet nuk janë angazhim, premtimet janë nijet ose thjeshtë rrena; kush e ha, e ha) se do t’i asfaltoj disa rrugë e qorr sokakë, tjetri se do të ndërtoj një pistë sfilate ku do t’i sjell emrat më të njohur të modës ne botë me çka do të bëjë që të rrjedhin pare nëpër trotuare.
Reis Mirdita
Dikush premtoi qeshma me ujë të tharët natyror si ai i Reçicës, një tjetër u zotërua se do ta zgjeroj e shtroj me asfalt të ri rrugën që çon te varret. I parafundit xhelozoi pak dhe të nesërmen herët, krejt serioz i tuboi fancat e vet dhe premtoi:
Nëse më votoni mua, do t’ua bëjë varret! Që ditën kur t’ia nisi punës si kryetar, çdonjërit prej jush do t’ia stolis varrin me lule e kurora! Salla ulëriti, duartrokitje frenetike!!!
Në këtë kakofoni lavdërimesh, isha i vetmi që nuk pata organizuar asnjë miting se desha të tërhiqem! Mendova se do të jetoj shumë mirë me njerëz të aftë në krye te shehrit. Kam zgjedhje se shaka: Ujë të tharët, xhade e bulevarde, femra të bukura nëpër sfilata e trotuare… Oh “jo, jo” thash, me bë me fitua ky zotëria po na çoka në varre me dëndëne e me lule që nga dita e parë e “sundimit”!!!
“Joooooooo”, bërtita në mes të dhomës duke i frikësuar grua e fëmijë. Shpejt i morra në telefon ca miq dhe u kërkova për nesër t’i tubojnë qytetarët në miting elektoral: Kur hipa në binë, mbeta pa mend. Aq shumë njerëz!!! Dhe pa pare e pa autobusë kishin ardhur! Ndoshta nga dashuria, nga shpresa ose nga kureshtja dhe dëshira për të bë hajgare pas tubimit.
Dhe a dini se çfarë suksesi tregova?!!! Krejt u ndanë të kënaqur! U premtova dhe u zotova she do t’ia ndërroj rrjedhën Vardarin dhe do ta sjell të kaloj nëpër mes të qytetit, të bërë të notueshëm e besa edhe të lundrueshëm.
Nga fundi i fjalës sime, një bablok i rritur në fshatin pranë urës së famshme e që pas demokracisë ishte shpërngulur në qytet, i brengosur dhe i trishtuar, klithi pa të keq:
-Po ura! Ura e Vardarit?! Do mbetet për mjerim e shterur pa ujë!!!
-Edhe urën do ua bijë në qendër të qytetit!
Altoparlantët buçitën! Edhe masa buçiti e magjepsur.