Testi PISA dhe rezultatet e dala, janë pasqyrim i gjendjes së përgjithshme në Kosovë, ku vlerat e përgjithshme shoqërore janë në rënie dhe me apo pa dashje është krijuar një sistem që nuk di të dallojë vlerën nga antivlera.
Shkruan: Bekim Thaqi
Fatkeqësisht edhe njerëzit që merren me këtë çështje, nuk e kanë vullnetin por edhe kompetencën e duhur për ta bërë ndryshimin e që duhet dhe për ta orientuar arsimin në drejtimin dhe vendin e merituar.
Arsimi si një proces i edukimit pashmangshëm ka pësuar shumë ndryshime por edhe eksperimente, që në të shumtën e rasteve nuk kanë qenë të destinuara dhe të përshtatura për një mentalitet si ky i yni në Kosovë dhe nuk është transmetuar edhe si duhet qoftë nga ekipet që e kanë menaxhuar procesin e sjelljes së një ndryshimi , kurrikule apo eksperimentimi qoftë nga trajnerët në terren të cilët duke mos pasur njohuri të mjaftueshme nuk e kanë arritur qasjen mjaftueshëm deri tek mësuesit për ti’u transmetuar keto njohuri.
Shpeshherë edhe këto eksperimente janë bërë me qëllime të treta si përfitimi i kësaj apo asaj organizate që e ka bëre një plan apo kurrikulë dhe shpeshherë vetëm e ka kopjuar nga vendet përendimore dhe skandinave duke mos bërë asnjë përshtatje për kulturën dhe mentalitetin tonë arsimor.
Në shumicën e rasteve tentohen të arrihen rezultate të atypëratyshme duke mos marrë parasysh kohën dhe rezultatet afatgjate dhe strategjike.
Këto dhe shumë probleme të tjera në arsim si mosprofilizimi i duhur edhe në fakultete dhe mospërfshirja e programeve kurrikulare edhe si lëndë mesimore në fakultete kanë bërë që arsimi mos të mund të gjejë rrugën e drejtë për një sukses më të madh në këtë fushë.
Sistemi i vjetër i mësimdhënies dhe pamundësia e përdorimit të teknlogjisë ashtu si duhet e ka rënduar edhe më tepër gjithë këtë dhe shmang lidhjen mes trinomit mësues- teknlogji- nxënës.
Duhet sa më parë të bëhet një plan 10 deri 15 vjeqar dhe tek mbas 7 ose 8 viteve të maten rezultatet dhe të shihet nëse po funksionon apo jo. Nëse vazhdohet si deri më tani do të jetë e vështirë të ndryshohet diçka dhe të arrihen rezultate më të mira.