Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar një aksion simbolik para Ministrisë së Shëndetësisë (MSh). Para objektit të ministrisë aktivistë të kësaj partie kanë vendosur një shiringë ku shkruhej “Dorëheqje”, duke bërë thirrje që të jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“I dorëzojmë vaksinën e përgjegjësisë Arben Vitisë, Dr. Hipokritit. Kjo vaksinë çon në dorëheqje. Dorëheqje për mungesën e punës, dorëheqje për keqmenaxhim. Mospunë sepse nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret rreth sigurimit të vaksinave përtej donacioneve”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti.
Ja komunikata e plotë:
Vaksina e përgjegjësisë rezulton dorëheqje
Qeveria e Kosovës vazhdon të mos ndërmarrë asnjë hap drejt sigurimit të vaksinave për qytetarët e Kosovës. Shëndeti ynë publik po varet tërësisht nga donacionet e të tjerëve teksa vetë Qeveria qëndron stoike në mosveprim. Në të njëjtën kohë, burokratizimi i procesit të vaksinimit e ka ngadalësuar procesin; sot jemi dëshmitar që ende nuk janë shpërndarë të gjitha vaksinat e marra nga donacioni i parë.
I dorëzojmë vaksinën e përgjegjësisë Arben Vitisë, Dr. Hipokritit. Kjo vaksinë çon në dorëheqje. Dorëheqje për mungesën e punës, dorëheqje për keqmenaxhim. Mospunë sepse nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret rreth sigurimit të vaksinave përtej donacioneve.
Aksioni i sotëm është vetëm doza e parë. Ditëve në vijim, ne do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve drejt një nisme ligjore për të falur gjobat e shqiptuara gjatë pandemisë. Janë mbi 200.000 gjoba që kalojnë shifren prej 10 milionë eurosh. Një masë është e drejtë kur zbatohet njejtë për secilin qytetar. Këto gjoba janë arbitrare sepse dënuan qytetarët, ndërkohë që valen e fundit të infektimeve e kemi prej tubimeve zgjedhore dhe sjelljes së papërgjegjshme të gjitha partive politike. Askush prej tyre nuk u denua.