“Prokuroria n’Shëngjin – Gjykata n’Budva –Komuna n’Durrës – punëtorët n’rrugë!”, ka qenë njëra ndër pankartat që protestuesit, punëtorë të Kompanisë Ecohigjiena, mbanin në duar, për t’ia mërsyer kështu qendrës së qytetit përkatësisht platosë para Teatrit të Qytetit të Gjilanit, për të shënuar Ditën e 1- Majit me protestë, me qëllim të ripërsëritjes së kërkesave të tyre për respektimin e të drejtave të punëtorëve, kushte me të mira të punës, paga më të mira e trajtim dinjitozë nga punëdhënësit.
“Kushte më të mira për punë”, “Duam paga e jo ndihma sociale”, “Jemi punëtorë jo skllevër”, “Të respektohet ligji i punës”, “Kryetar mbaje fjalën!”… ishin po ashtu kërkesat e këtyre punëtorëve protestues të shprehura përmes pankartave tjera, ndërkohë që sipas Këshillit të Punëtorëve dhe punëtorëve të Kompanisë Ecohigjiena, të cilët në një takim të mëhershëm ishin dakorduar për protestën e sotme, po jetojmë në Kosovë ku jemi dëshmitarë të përditshëm të shkeljes së të drejtave të punëtorëve dhe padrejtësive që na bëhen çdo ditë nga ana e punëdhënësit.
Sipas këtij Këshilli, jemi dëshmitarë se në këtë vend nuk po respektohet asnjë normë apo rregull ligjore sa i përket të drejtave tona edhe atëherë kur ne ankohemi në institucione përkatëse prapë se prapë ne punëtorët jemi më të dëmtuarit.
“Protesta jonë sot po mbahet për të shënuar 1 Majin, si ditë në të cilën punëtorët protestojmë për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre për kushte me të mira të punës, paga më të mira, respektim të ligjit të punës në Republikën e Kosovës si dhe trajtim dinjitoz nga punëdhënësit.
Protestën e punëtorëve të Ecohigjiena, sot e bënë edhe me të nevojshme fakti se 17 punëtorë janë larguar nga puna në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme nga menaxhmenti që nga Janari i këtij viti dhe ky largim po vazhdon edhe më tutje, ku këtë muaj janë larguar edhe 4 punëtorë të tjerë, e numri i përgjithshëm ka arritur në 21, si dhe kemi paralajmërime se do të vazhdoj edhe më tutje”, thuhet në njoftimin e këtij Këshilli.
“Ne kërkojmë nga institucionet shtetërore që janë të thirrura për të mbrojtur rregullat dhe ligjet e këtij vendi që të ndalin këtë diskriminim dhe këtë trajtim skllavëror që po na bëhet ne si punëtorë.
Ne jo vetëm në këtë 1 Maj, si ditë të shënuar për punëtorët, por çdo ditë do të vazhdojmë të protestojmë dhe ta ngrisim zërin tonë për padrejtësitë, shantazhet dhe presioni që po na bëhen çdo ditë nga punëdhënësit.
Mbesim me shpresë se shqetësimet tona do të prekin ndërgjegjen e njerëzve që udhëheqin këtë vend”, thuhet në fund të njoftimit të organizatorit të kësaj proteste.