Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e FSK-së, ka vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku është takuar me komandantin e përgjithshëm, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani është njoftuar për arritjet dhe përgatitjet e FSK-se për ta realizuar misionin e tyre në funksion të mbrojtjes së sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Pas takimit me gjenerallejtënant Jasharin dhe anëtarët e SHP të FSK-së, Presidentja Osmani ka deklaruar se me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, posaçërisht ShBA-ve, FSK-ja ka përfunduar fazën e parë tre vjeçare të tranzicionit dhe po e kryen suksesshëm vitin e parë të fazës së dytë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, duke u shndërruar çdo ditë e më shumë në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s.
Sipas Presidentes Osmani me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, fokusi i FSK-së është krijimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale për përmbushjen e detyrës kryesore ligjore të mbrojtjes së pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
“Ushtria jonë është e gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por edhe për t`u bërë pjesë e misioneve ndërkombëtare krahas partnerëve tanë, sikurse ShBA-të. Teksa paqja globale po sfidohet gjithnjë e më tepër, forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është domosdoshmëri. Unë kam besim në profesionalizmin e vajzave dhe djemve të ushtrisë sonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Komandantja supreme ka potencuar se FSK-ja është në vlugun e përgatitjeve intensive për pjesëmarrje efektive në stërvitjen më të madhe të forcave amerikane në Evropë “Defender Europe 2023”, me mbi 1 mijë trupa, me të cilën validohen 2 regjimente të FSK-së, si trupa të gatshme për ekzekutim të detyrave kushtetuese dhe për operacione ndërkombëtare.
Pas takimit me komandantin e FSK-së, Presidentja Osmani ka drekuar bashkë me kadetë, ushtarë, nënoficerë e oficerë të FSK-së. /2LONLINE/