Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e Rezallës në 24-vjetorin e saj.
Më 5 prill të vitit 1999, forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra, banorë të fshatit Rezallë dhe të fshatrave përreth. Më pas, forcat serbe kryen krimin e dytë çnjerëzor mbi ta, duke i zhdukur trupat e pajetë të 44 të vrarëve. Trupat e disa të vrarëve janë gjetur kohë më pas në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.
Masakra e Rezallës dëshmoi edhe një herë tipologjinë e masakrave të kryera, të planifikuara e të udhëhequra nga forcat shtetërore serbe, synimi i së cilave ishin sulmet përndjekëse masive, vrasjet, dhunimet, djegia dhe shkatërrimi i pronës, deportimi i dhunshëm dhe shfarosja e popullatës civile shqiptare.
Secili nga civilët e vrarë në këtë masakër e ka historinë dhe trashëgiminë e tij. Të gjithë së bashku, ndërkaq, janë dëshmi e krimeve makabre që ka kryer Serbia në Kosovë.
Ne nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat.
Kujtim i përhershëm për to!