Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar në 23 vjetorin e rënies heroin Agim Ramadani.
“Heroi Agim Ramadani është simbol i lirisë, guximit dhe përbashkimit. Lirinë e portretizuar me vargje e brushë, e bëri realitet me angazhimin e tij në UÇK, duke qenë një ndër shtyllat e operacionit “Shigjeta”, me të cilin u thye kufiri ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Në 23-vjetorin e rënies, fjalët janë të pakta në krahasim me veprën e heroit të papërsëritshëm. Sot përkulemi para veprës së tij dhe e kujtojmë më respekt heroin që i dha kuptim dhe formë lirisë sonë”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani.
Presidentja Osmani ka theksuar se Agimi e realizoi ëndrrën për lirinë që ne të jetojmë të lirë, falë tij e bashkëluftëtarëve.
“Çdo përvjetor do të na sjellë në vëmendje vlerën e lirisë, heroizmin dhe pavdekësinë e tyre! Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”, ka theksuar Presidentja në përkujtimin e saj. /2LONLINE/