Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi, i shoqëruar nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dr. Naser Ramadani, dhe nga drejtoresha e Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj- Berisha, bashkë me një pjesë të stafit shëndetësor, kanë pritur në takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Krasniqi theksoi se vizita e presidentit Thaçi tregon përkushtim dhe vëmendje të institucioneve për stafin shëndetësor, për të cilin ata kanë më së shumti nevojë.
Ushtruesi i detyrës së SHSKUK-së e ka informuar presidentin, po ashtu, për rigoranizimin e brendshëm të SHSKUK-së, në kontekst të rritjes së kapaciteteve për trajtimin e pacientëve të prekur me Covid-19.
“Ne, si QKUK dhe si SHSKUK, bashkë me spitalet regjionale, jemi duke bërë riorganizime sa i përket nevojës për rritjen e kapaciteteve të shtretërve, për të trajtuar pacientët e prekur me COVID dhe, në të njëjtën kohë, edhe riorganizimin e personelit shëndetësor, me qëllim që t’i kushtohet vëmendje trajtimit meritor të pacientëve me COVID-19”.
“Ne jemi të palëkundur në qëndrimin tonë për të ofruar shërbime për secilin pacient, që do të ketë nevojë në këtë kohë”, tha Krasniqi.
Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ndërkaq, ka uruar stafin shëndetësor për punën, duke i quajtur heronj, gjersa u ka premtuar se do t’u qëndrojë pranë për ta tejkaluar betejën me pandeminë Covid-19.
“E di që keni qenë shembull për rajonin dhe me gjerë. Keni marrë veprime shumë të shpejta, të sakta dhe precize. Më vjen mirë që është një mobilizim i të gjithë mjekëve, stafit të mjekësisë këtu dhe, gjithashtu, në nivel lokal. E kemi biseduar edhe me Ministrin e Shëndetësisë, edhe me kryeministrin Hoti, të jeni të sigurt që do ta keni përkrahjen e të gjitha institucioneve, në mënyrë që ta tejkaloni sa më lehtë dhe me më pak pasoja”, tha presidenti Thaçi.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dr. Naser Ramadani, i shqetësuar me situatën, ka bërë thirrje, sërish, që të respektohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore.
Në një ambient të hapur, para Klinikës Infektive, aty ku po trajtohen të prekurit nga virusi korona me gjendje të rënduar shëndetësore, drejtoresha Lindita Ajazaj- Berisha, deklaroi se, pavarësisht punës së vazhdueshme e pa pushim, do të jenë të përkushtuar ndaj të gjithë pacientëve.