Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkroi në emër të Republikës së Kosovës marrëveshjen mes Kosovës dhe MCC-së.
Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se kjo është një ditë e madhe në Uashington DC për Kosovën.
“Ne gjithmonë kemi ditë të mira në Uashington për shkak se Kosova dhe SHBA-të, kanë një miqësi të gjatë dhe të fortë, por sot është një ditë e veçantë, sepse ne po shtojmë edhe një mik në listën e gjatë të miqve në këtë kryeqytet. Ne po nënshkruajmë këtë marrëveshje me MCC-në, dhe po hapim një faqe të re të marrëdhënieve, të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai më tej tha se kjo marrëveshje është një mjet i ri shumë i fuqishëm i mbështetjes për qytetarët e Kosovës, dhe se do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e projekteve me MCC-në.
“Kjo do të ndihmojë Kosovën të themelojë një fondacion i cili do të investojë gati 50 milionë dollarë në një mënyrë shumë të fokusuar. Këto investime do ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës dhe bizneset kosovare të merren me furnizimin me energji elektrike, me kursimin e energjisë dhe me forcimin e transparencës qeveritare për qytetarët”, pohoi presidenti Thaçi.
I pari i vendit tha se që nga dita e parë e presidencës ka ndjekur procesin e MCC-së, duke shtuar se kjo marrëveshje dhe kjo ditë janë bërë të mundura vetëm me ndihmën e madhe të kongresmenit Engel dhe kongresmenëve tjerë, “Faleminderit kongresmen për përkushtimin tuaj ndaj Kosovës dhe për sjelljen e MCC-së në Kosovë. Falënderojmë anëtarët e nderuar të Kongresit dhe Senatit që kanë ndihmuar Kosovën në këtë proces. Gjithashtu falënderojmë ekipet tona, të udhëhequra nga Sarah Olmstad dhe Petrit Selimi të cilët kanë punuar shumë, dhe shumë shpejt për të krijuar projektet dhe për të sjellë këtë marrëveshje deri në këtë ditë”, shtoi presidenti Thaçi.
Ai më tej tha se jemi të përkushtuar që të sigurohemi që projektet të zbatohen, “Tani ne e kemi qeverinë e re, por si President i Republikës unë mund të konfirmoj që projektet e MCC-së, mbështeten nga të gjitha partitë politike dhe nga të gjitha institucionet. Shoqëria civile e Kosovës dhe sektori privat i Kosovës gjithashtu do të jenë elemente të rëndësishme të mbështetjes”.
Me këtë rast, Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij për ish Presidenten Jahjaga dhe ish Kryeministrin Mustafa, për mbështetjen e tyre për MCC-në.
Duke e vlerësuar si një ditë feste, presidenti Thaçi tha se është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kjo Marrëveshje të cilën unë po e nënshkruaj sot me udhëheqësin në detyrë të MCC-së, z. Nash, është një instrument, por unë shpresoj që shumë më shumë instrumente mund të zhvillohen me mbështetjen e MCC-së, dhe do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë në Kosovë. Kështu, sot ne festojmë këtu në Kongresin e SHBA-ve, me miq të Kosovës, por ne gjithashtu premtojmë se do të fillojmë të punojmë që nga nesër për ta bërë këtë Marrëveshje një arsye për festim edhe për mijëra njerëz në Kosovë”.
Nga ana tjetër ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së, Jonathan Nash tha se MCC-ja u ndihmon qeverive të lidhin disa nga njerëzit më të varfër në botë me vende pune, tregje dhe mundësi.
“Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit”, tha ai.
Ndërkaq kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel tha se, “Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi”.
Kurse, Petrit Selimi koordinator nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes \”Threshold\” është fundi i procesit të zhvillimit të projekteve, por gjithashtu shënon fillimin e një mundësie të re emocionuese për institucionet e Kosovës, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të bashkëpunuar në rregullimin e disa prej kufizimeve më të rëndësishme drejt rritjes në Kosovë. “Ne me padurim presim të shohim fillimim e projekteve në terren dhe të sjellin rezultate që do të ndihmojnë Kosovën në trajtimin e efikasitetit energjetik, korrupsionit dhe qeverisjes së mirë, si dhe ndotjen e ajrit\”.
Programi “Threshold” i MCC-së është përqendruar në fushat kritike për të ardhmen e Kosovës, dhe ai do të shpejtojë investimet në efikasitetin e energjisë dhe do të mbështesë përpjekjet për të promovuar një qeverisje efektive dhe llogaridhënëse.
http://www.president-ksgov.net/sq/lajme/presidenti-thaci-nenshkroi-marreveshjen-49-milioneshe-me-mcc-ne