Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e parakalimit të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, e cila u organizua për nder të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot gjendemi para ushtrisë së Kosovës, në kazermën “Adem Jashari”, për ta nderuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vetë emri i kazermës suaj është emri i lirisë, i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Është vetë Kosova”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai më tej ka thënë se sot institucionet më të larta shtetërore nderojnë heroizmin dhe sakrificën më të madhe në historinë tonë kombëtare.
“Nderojmë anëtarët e familjes së Shaban Jasharit: burrat, gratë, vajzat, djemtë, fëmijët, nipërit, mbesat. Nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari, Hamzën dhe gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekazin heroik”, ka thënë ai.
Kreu i vendit ka shtuar se heroizmi dhe sakrifica e Jasharëve zgjoi ndërgjegjen shqiptare.
“Heroizmi i Jasharëve mobilizoi botën shqiptare në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në diasporë. Heroizmi i Jasharëve dhe lufta e tyre titanike e vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare, botërore për Kosovën. Prandaj, bota shqiptare me respekt dhe nderim të lartë përkulet në Prekazin legjendar”, ka theksuar presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se sa herë që vijnë ditët e Epopesë së UÇK-së kujtojmë çmimin e lirisë së Kosovës dhe marrim energji për të ardhmen.
“Kujtojmë me respektin më të lartë sakrificën e mijëra dëshmorëve, kujtojmë martirët dhe gjithë qytetarëve tanë të rënë për liri. Kujtojmë plagët e invalidëve të luftës, kontributin e veteranëve dhe gjithë ushtarët e lirisë që ranë për liri dhe pavarësi të Kosovës”, ka theksuar presidenti.
Ushtarëve të FSK-së, presidenti Thaçi iu ka thënë se janë trashëgimtarët e projektit më të suksesshëm politik dhe ushtarak të kombit shqiptar, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të këtij projekti të shenjtë.
“Me luftën heroike të UÇK-së, me mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe të botës demokratike, Kosova u çlirua dhe u bë vend i lirë, shtet i pavarur dhe demokratik. Kosova me sukses kaloi fazën e tranzicionit. Për 12 vite të pavarësisë shënuam të arritura të jashtëzakonshme, si asnjë vend në botë për 12 vite të pavarësisë. Vlerësime këto që janë edhe prej vetë qytetarëve, edhe prej vetë miqve ndërkombëtarë. U konsoliduam si shtet në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Kosova është storie e suksesshme. Secili qytetar duhet të ndihet mirë për kontributin e vet dhe duhet të ndihet krenar me lirinë dhe pavarësinë e vendit, sepse jemi vend i paqes, stabilitetit, jemi vend i mesazheve më të mira për të gjithë”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova e ka të qartë rrugën e vet përpara, është në rrugë të drejtë, në rrugën euroatlantike.
“Kosova do u jetë përjetë mirënjohëse shteteve të demokracisë botërore që e ndihmuan në kohët më të vështira. Mirënjohëse për kontributin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti i vendit, ushtarëve të FSK-së iu ka thënë se qytetarët dhe shteti ynë krenohen me ju.
“Krenohemi me rezultatet tuaja dhe me gatishmërinë tuaj për të shërbyer kudo që kërkohet, në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës, në të gjitha misionet e paqes dhe humanitare kudo në botë. Disiplina ushtarake, etika e lartë dhe profesionalizmi juaj vërehet kudo në Kosovë. Jeni institucioni që gëzoni respektin e gjerë qytetar të Kosovës dhe keni besimin e botës demokratike. Pra, ju po rriteni si një forcë të besueshme në sytë e botës”, ka thënë presidenti Thaçi.
“Ju jeni ushtri moderne, jeni ushtri bashkëkohore, jeni ushtri multientike. Ju do të pajiseni me pajisjet më moderne të një ushtrie bashkëkohore dhe ky ishte edhe mesazhi dhe diskutimi im edhe në Pentagon, ditë më parë, për forcimin dhe pajisjet e ushtrisë së Kosovës me pajisjet më moderne që do t’i ketë një ushtri në rajonin tonë”, shtoi ai.
Presidenti Thaçi në fund ka thënë se Kosova ka dalë nga një luftë e hidhur, ku Serbia kreu gjenocid, spastrim etnik, kreu shumë masakra, por sot Kosova është një vend i lirë dhe i pavarur.