Policia e Kosovës në Gjilan ka arritur që ta shpëtojë një grua të moshuar duke e nxjerr nga bodrumi i një shtëpie që ishte përfshi nga zjarri
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës njësitet mbështetëse reaguese gjerë sa ishin në pikë kontrolli rreth orës 22:00 në Rrugën e “Prishtinës”, kanë dëgjuar një detonim të fuqishëm aty afër.
Sipas tij, reagimi i policëve ka qenë i menjëhershëm, ku me të arritur kanë vërejtur se një dritare e shtëpisë ishte e nxjerrë nga vendi si pasojë e shpërthimit të zjarrit dhe ishte disa metra larg në oborr.
Nga podrumi i shtëpisë vërehej të dilte tym i madh, menjëherë janë njoftuar zjarrfikësit.
“Me të hyrë brenda, në shkallë mes kateve është hasur një grua e moshuar e cila kishte mbetur e ngujuar nga shpërthimi i flakëve dhe tymit. Të njëjtën është nxjerr jashtë me ndihmën e policëve dhe është shpëtuar nga zjarri ku i është ofruar ndihmë. Policët kanë hyrë brenda në shtëpi sepse kishte tym dhe donim që të siguroheshin se nuk është askush brenda në shtëpi deri sa të arrijnë zjarrfikësit dhe fatmirësisht nuk kishte persona tjerë brenda në shtëpi”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Njësitet e Zjarre fikësve kanë arrit ta lokalizojë zjarrin ku ishin shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia e Kosovës para disa ditëve ka zhvilluar një kampanjë të gjerë ku është biseduar me pronarë të lokaleve të gastronomisë por edhe me shumë qytetarë në lidhje me përdorimin e bombolave me gaz.
“Policia e Kosovës vazhdon t’i thërras të gjithë ata që i përdorin këto bombola gazi që të jenë të kujdesshëm dhe ato të jenë të certifikuara për përdorim, në mënyrë që mos të vij deri te lëndimet, apo edhe rastet fatale nga përdorimi jo adekuat i këtyre bombolave”, ka thënë zëdhënësi Hashani. /2LONLINE.com/