Policia e Kosovës vetëm gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 873 gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk i kanë respektuar masat e marra nga institucionet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Sipas policisë, zyrtarët policorë po i kryejnë detyrat dhe obligimet ligjore duke u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ruajtjen e shëndetit publik në këtë kohë pandemie.
“Qytetarë të nderuar, duke respektuar dispozitat ligjore, duke iu përmbajtur udhëzimeve të institucioneve shëndetësore, ndikojmë në sigurinë e përgjithshme dhe shëndetin publik. Policia në bashkëpunim me inspektorët e AUV, do të vazhdojnë të zbatojnë Ligjin AntiCOVID, andaj përmbajuni vendimeve për t’i shmangur ndëshkimet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përndryshe, referuar të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Numri total i rasteve pozitive është 106.192 raste nga 549.286 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.202 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 389 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 97.057 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.933. /2LONLINE.com/