Policia e Kosovës ka shqiptuar 2 mijë e 310 tiketa trafiku për drejtues automjetesh, për shkelje të rregullave në komunikacion. Kështu bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ndërsa, brenda kësaj periudhe kohore janë shkaktuar 111 aksidente trafiku, prej të cilave, 2 me fatalitet, 44 me të lënduar dhe 65 aksidente me dëme materiale, por pa të lënduar.
Janë arrestuar 28 persona, 19 prej tyre janë dërguar në mbajtje dhe 1 në vuajtje të dënimit. /2LONLINE/
AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET
Rr. Idriz Seferi, Gjilan / 15.08.2024-20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti duke drejtuar automjetin dyshohet se nga pakujdesia në vendkalim të këmbësorëve ka goditur këmbësorin viktimë mashkull kosovar të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima pasi është dërguar në QKUK ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET
Ura e Topliqanit, Suharekë/ 15.08.2024-06:15. Dy vetura me targa vendore, me drejtues meshkuj kosovar janë përfshirë në aksident trafiku në mes vete, ku si pasojë e aksidentit njëri nga drejtuesit e veturave ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.