Poezia që fitoi Çmimin e parë në konkursin anonim letrar “Flaka e Janarit”-2017
Irena GJONI
EH, PENELOPË QË THUR E SHTHUR VETEN
“-Të puth pafund zemër e të pres…
-Dhe unë do të vij, do të të gjej…”
… … …
Po ulem në bregun e pritjes,
Penelopë që thur e shthur veten.
Ditën e shëmtoj të mbaj larg mëtonjësit,
E natën e bëj Sirenë malli.
Në pasqyrat e saj ujore, prej së largu
derdhet tingulli i një kitare
që e kris mespërmes,
fytyrën e Hënës të pasqyruar në të.
Sa kohë i duhet Vetmisë,
të dalë nga një zemër thellësish,
si nga rrathët e fundit dantesk
e të iki pa e kthyer më kokën pas?!
Sa kohë i duhet një shpirti për në shpirt?!
E pres, e pres të vish ti nga fluturimi.
Se kush është grimca më e vogël e kohës,
do ta mat kur të mbërrish te unë.
Në rrugëtimin tënd lexon historinë e botrave.
Gjelbërimin e ditëve ia fal yllit polar,
si blatim për busull errësirës,
që të mos humbasësh mes demonëve.
Në lëkurën e netëditëve të pritjes të flakura tej,
ti hedh e ngul spirancën e majave të Shën Diellit.
Mes buzëqeshjeve prej rrezësh më thua:
Më prite zemër? Ja ku erdha…
GLADIATORI (Shifra identifikuese)