Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë me dije se pesëmbëdhjetë respiratorë për QKUK-në është ndihma e radhës që sot pranuan nga shteti mik, Gjermania.
“Bashkë me ambasadorin, z. Jörg Rohde, ishim në ceremoninë e pranim-dorëzimit të 15 respiratorëve në vlere prej rreth 500.000 euro, të cilët janë financuar nga Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë. Vlen të përmendet që javë më parë nga ky shtet kemi pranuar donacion me mijëra teste RT-PCR për përballjen me Covid 19”, ka thënë minsitri Zemaj.
Ai shtoi se këto ditë, misioni i Institutit “Robert Koch” e ka vlerësuar lartë punën tonë profesionale dhe suksesin e menaxhimit të pandemisë, duke e certifikuar edhe Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të IKSHPK-së, testet e të cilit do të pranohen në Gjermani, e me këtë qytetarëve dhe mërgimtarëve tanë iu lehtësohet kalimi i kufijve për në shtetet e BE-së.
“Shteti mik i Gjermanisë po na ofron mbështetje të madhe në këtë kohë të vështirë, sidomos për shëndetësinë tonë dhe ne jemi shumë mirënjohës. Nëpërmjet ambasadorit, z. Jörg Rohde, falënderoj taksapaguesit gjermanë për ndihmën që ky shtet na ka dhënë gjatë gjithë kësaj kohe, e cila është tejet e rëndësishme për shëndetësinë tonë”, ka thënë minsitri Zemaj.