Është mbajtur dita e dytë dhe përfundimtare e punëtorisë “Tranzicioni i Drejtë Energjetik në Kosovë”, e organizuar nga Ministria e Ekonomisë me mbështetje nga USAID-i dhe GIZ-i Gjerman. Kjo punëtori e cila ka pasur për qëllim informimin e vendimeve teknike dhe politike që do të merren gjatë procesit të finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe kështu ka hapur dyert ndaj publikut dhe ekspertëve për të kontribuar në draftimin e kësaj strategjie kyçe për zhvillimin energjetik të Kosovës.
Pas përfundimit të diskutimeve të skenarëve në ditën e parë, dita e dytë e punëtorisë është fokusuar në projekte specifike dhe ka filluar me një prezantim nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë të fokusuar në Tranzicionin e Drejtë Energjetik. Tutje, punëtoria ka vazhduar me prezantime nga ana e Millennium Challenge Corporation – MCC dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë mbi projektet potenciale.
Pjesa e dytë e punëtorisë është ndarë në dy panele të cilat janë fokusuar në trendet e fundit në teknologji dhe rregullim, dhe si duhet të përshtaten për strategjinë energjetike të Kosovës. Këto panele kanë përfshirë ekspertë dhe së bashku me pyetjet dhe komentet nga pjesëmarrësit në sallë, si dhe ata virtualë, janë diskutuar skemat për projekte të ripërtëritshme dhe atyre tregtare, e poashtu u diskutuan çmimet dhe qëndrueshmëria e karbonit.
Të gjitha konkluzionet e dalura nga kjo punëtori dhe kontributi i ekspertëve të energjisë do të përdoren për të krijuar një Strategji Kombëtare të Energjisë e cila do tu shërbejë më së miri qytetarëve, që do të jetë e implementueshme dhe e qëndrueshme.