Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e mbështetur nga USAID/Programi për Qeverisje Ekonomike në Kosovë organizuan një forum virtual për promovimin e franshizmit si model i biznesit në Kosovë, gjatë së cilit me një panel përfaqësuesish të franshizë dhënësve si dhe franshizë marrësve të kompanive të njohura globalisht, u nënvizuan përparësitë që ofron një model i tillë i biznesit në zhvillimin ekonomik si dhe nxitjen e investimeve në vend.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, foli për rëndësinë e zhvillimit të franshizmit, ku përmendi se Kosova pavarësisht zhvillimeve pozitive përgjatë viteve të fundit, ende karakterizohet me vështirësi për qasje në financa dhe rrjedhimisht për rritje dhe zgjerim të kompanive. Zeka po ashtu përmendi kapitalin si një përparësi të rëndësishme të franshizimit, ndërsa tha se në rrethana të financimit të bazuara kryesisht në kolateral, ky model ndihmon në realizimin e synimeve duke mundësuar rritjen e pikave të reja të biznesit, pa pasur nevojë për rritje të ekspozimit kreditor, por edhe në mbajtjen e një rreziku minimalist afarist.
Ardian Hoxha, franshizë marrës i SushiCo dhe franshizë dhënës i Green and Protein, njëherit edhe moderator i forumit, potencoi ndikimet e dukshme të franshizmit në ekonominë e vendit, duke përfshirë krijimin e vendeve të punës, modernizimin ekonomik, përshtatjet në bilancin e pagesave, zhvillimin e ndërmarrësisë dhe ndihmën në zhvillimin e fuqisë punëtore. Nga aspekti i të dyja anëve, pra edhe atij të franshizë dhënësit, por edhe të franshizë marrësit, Hoxha tha se e inkurajon zhvillimin e këtij lloji të biznesit në Kosovë, meqë i njëjti është shumë edukativ për biznese, si dhe ka efekte zinxhirore në përmirësimin e zinxhirit të furnizimit, përmirësimin e proceseve të biznesit, si dhe rritjen e kualitetit të produkteve dhe shërbimeve.
Shkumbin Muçolli, menaxher i përgjithshëm në kompaninë Burger King theksoi se franshizat janë zgjedhje e mirë për investitorë, pasi që bizneset që shfrytëzojnë këtë model janë të formuara mirë dhe funksionale në vende të ndryshme të botës. Sipas Muçollit, një ndër përparësitë kryesore të franshizave është strukturimi edhe organizimi i stafit brenda kompanive të vendit. Për më tepër, Muçolli ofroi disa këshilla për ndërmarrësit e interesuar të bëhen franshizë marrës, ku theksoi se të njëjtit duhet të studiojnë mirë tregun, si dhe të punojnë drejt sigurimit të përmbushjes së standardeve të kërkuara nga franshizë dhënësit.
Erëmal Bajrami, menaxher i përgjithshëm në kompaninë KFC Kosova duke iu referuar konceptit të franshizmit si dhe historikut të korporatës që ai përfaqëson, tha se ky model biznesi i jep mundësi korporatës të zhvillohet në nivel global, si dhe të hap rrugë për investime në bizneset e franshizuara. Sipas Bajramit, franshizimi mund të sjellë përfitime të shumëta qoftë direkte apo edhe indirekte për ekonominë e Kosovës, derisa përmendi se prania më e madhe e bizneseve të këtij modeli mund të incentivizojë rritjen e kualitetit të produkteve të prodhuara në vend, si dhe zhvillimin e fuqisë punëtore në mes të tjerash.