Pedro i ka lënë gjurmët e veta në histori me fitoren 4:1 të Chelseat kundër Arsenalit në finale të Ligës së Evropës. Spanjolli 31-vjeçari është bërë futbollisti i parë në histori te futbollit që i ka fituar pesë nga trofetë më të mëdhenj në botën e futbollit.
Anësori i Chelseas, Pedro, e kishte fituar tri herë titullin e Ligës së Kampionëve me Barcelonën, ndërsa me “Blues” triumfoi në Ligën e Evropës dhe në Premierligë.
Pedro e kishte fituar titullin e Kupës së Botës në vitin 2010 dhe titullin e Kampionatit Evropian në vitin 2012 me Spanjën.
Pas ndeshjes, spanjolli u shpreh shumë i kënaqur që e shtoi edhe medaljen e artë të Ligës së Evropës në listën e sukseseve të shumta gjatë karrierës së tij.
“Mund të pensionohem tani”, u tall ai.
“Edhe një trofe tjetër më mjafton mua! Është hera e parë që kam luajtur në Ligën e Evropës dhe ta fitosh atë është diçka shumë e veçantë. Jam shumë i lumtur që shënova dhe tani mund ta shijojmë suksesin së bashku me tifozët, që e merituan këtë”.