Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare, në mbledhjen e mbajtur shqyrtoi situatën politike, e cila po zhvillohet në vend dhe rajon. “Nëse vazhdojnë bisedimet e nisura në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, PDSH mbështet deklaratën publike të ministrit të punëve të jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, se edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun Prishtinë – Beograd, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian”, thuhet në deklaratën e PDSH-së nga Ragmi Mustafa, shkruan Titulli.com.
Sipas kësaj partie nëse serbët në territorin e Republikës së Kosovës, në komunat me shumicë serbe formojnë asociacionin e komunave të tyre, atëherë edhe PDSH do të angazhohet në formimin e asociacionit të komunave me shumicë shqiptarësh autokton në Luginë të Preshevës në bazë të vendimit të tre kuvendeve të datës 15 Shtator 2015.
Partia Demokratike Shqiptare ka vlerësuar se qëndrimi i tillë bazohet në Referendumin e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, Deklaratën politike të 14 Janarit të vitit 2006 si dhe luftës së UÇPMB-së të viteve 2000-2001.
Bazuar në rrethanat politike të krijuara në rajon, PDSH është e vendosur që të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, më së paku të realizohen në shkallën proporcionale me të drejtat e serbëve në komunat veriore të Kosovës.