Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, që një kohë të gjatë po i ndjek zhvillimet në Kompaninë “Ecohigjiena” dhe shprehë shqetësimin e saj për gjendjen në këtë kompani, e në veçanti për largimin e punëtorëve nga puna.
Mosmarrëveshjet në mes dy partnerëve në “Ecohigjiena”; Komunës së Gjilanit dhe “Moser Group” nga Austria, kanë krijuar një situatë të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për Komunën, qytetarët, e sidomos për punëtorët, të cilët janë viktimat e vetme në këtë rast.
Kështu nis komunikata e Degës së PDK-së në Gjilan rreth situatës në Kompaninë “Ecohigjiena” dhe largimin e punëtorëve nga puna, përcjellë nga Shefik Surdulli nga Zyra e Informimit e këtij subjekti politik
Më tej thuhet se: “Përkundër respektit dhe mirëkuptimit tonë për investitorin privat, megjithatë, ai duhet ta respektojë dhe përmbush marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat (PPP), të respektojë të drejtat e punëtorëve ashtu siç parashihet me Ligjin e Punës si dhe me marrëveshjen e PPP-së (të lidhur në muajin maj të vitit 2012, ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe “Moser Group”-it austriak).
“Kryetari i Komunës Lutfi Haziri, duhet t’i jep fund aktrimit që po e bënë me pompozitet përmes mediave, duke u shtirur si „engjëll” mbrojtës i punëtorëve. Gjithashtu, ai, përveç tjerash, duhet të jep përgjegjësi edhe për zvarritjen e tenderit – kontratës, që nga 1 korriku 2016, për mirëmbajtjen e hapësirave publike e gjelbëruese, parqeve, shesheve dhe pastrimit të rrugëve, e në anën tjetër, kjo punë, që prej atëherë, në mënyrë të kundërligjshme – pa kurrfarë tenderi – kontrate të punës, vazhdon të bëhet përmes punëtorëve të kompanisë “Ecohigjiena”, duke i mashtruar ata për pagesë retroaktive, ndonëse fati i tyre është i lidhur me këtë aktivitet”, thuhet tutje në komunikatë.
“Kryetari i komunës, ka përgjegjësi institucionale për monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij Partneriteti Publiko-Privat, e jo ta zhvendos vëmendjen gjetiu”, thuhet në fund të komunikatës, të PDK-së, së Gjilanit.