Haziri falënderon OKB-në për ndihmën e dhënë për Gjilanin përmes agjencioneve të ndryshme

Haziri falënderon OKB-në për ndihmën e dhënë për Gjilanin përmes agjencioneve të ndryshme

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune shefin e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Zahir Tanin, të cilin, e ka informuar për gjendjen e sigurisë në përgjithësi në Gjilan, për relacionet ndëretnike, ndërfetare dhe dialogun e zhvilluar që është në Komunë edhe me përfaqësuesit politik, dhe me udhëheqësinë fetare.

Në paraqitjen e tij para mediave, kryetari Haziri ka falënderuar OKB-në, për prezencën e saj në Kosovë me agjensione të ndryshme, administratën e saj, duke thënë se Gjilanin e ka ndihmuar shumë në krijimin e paqes dhe zhvillimin e demokracisë.

“Agjensionet e OKB-së si UNDP, UNICEF, UNHCR, janë të involvuara në disa projekte mjaftë të rëndësishme për Komunën e Gjilanit. Tani së fundmi jemi në projektin e ndërtimit dhe rregullimit të tërësishëm të varrezave të përbashkëta në qytet dhe renovimi i mbulojës së Kishës Ortodokse në Gjilan, pastaj programi për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit. Një kontribut jashtëzakonisht të madh kanë dhënë në programin për edukim për fëmijë dhe kjo është shumë evlefshme për çka e falënderoj për gjithë angazhimin e dhënë këtu”, ka thënë Haziri.

Ndërsa, nga ana e tij PSSP në Kosovë, Zahir Tanin, ka thënë se ndryshimet pozitive shihen përditë e më shumë në Gjilan, me punën që bëhet në integrimin e pakicave në jetën shoqërore.

“Gjilani është një reprezentues i madh i zhvillimit dhe garantimit të lirive të qytetarëve, pa dallim etnie, religjioni apo përkatësie tjetër. Storie e suksesit në aspekt tjetër është angazhimi konkret i Komunës së Gjilanit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe kuadër të parandalimit të pjesëmarrjes së Gjilanasve në luftra të huaja”, tha Tanin.

Ai, gjithashtu, ka konfirmuar gatishmërinë e plotë të OKB-së për të vazhduar mbështetjen për ta ndihmuar Kosovën dhe popullin e Kosovës.

Përndryshe, Haziri e Tanin, kanë dënuar edhe aktin e djeshëm terrorist në Londër, ndërkaq kanë potencuar se Gjilani ka bërë hapa konkret në këtë drejtim përmes Mekanizmit Referues, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të individëve dhe personave të cilët mund të përfshihen akte terroriste.

KOMENTE