“Ejani në Kosovë, në vendin e një rinie të mrekullueshme, por që ka nevojë për shpresë, në vendin, që tradicionalisht, në arsimin e vet, në kulturën e vet ka qenë i orientuar nga Franca.
Fjalët e Presidentit Macron për integrimin e Ballkanit Perëndimor kanë qenë shpresëdhënëse për ne“, i ka thënë ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, Ministres për Çështje Europiane në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme, znj Nathalie Loiseau, në takimin e tyre në Quai d’Orsay.
Ai, mëpastaj kërkoi shtimin e pranisë së ekonomisë franceze në sektorin minerar, energjitik, dhe në veçanti në bujqësi. „Unë personalisht kam nxitur ardhjen e një kompanie të madhe si Candia, në prodhimin e qumshtit dhe nën-produkteve të tij“, tha ministri Pacolli, ftesë kjo, që u vlerësua nga bashkëbiseduesja e tij.
Ministri Pacolli e njohu ministren franceze me përpjekjet pozitive të qeverisë së re, ku AKR pati rol zhbllokues dhe më pas me perspektivën e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, për të cilën kërkoi ndihmën e Francës; si dhe për qasjen e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Tutje, Ministri Pacolli tha se Franca duhet të na ndihmojë për liberalizimin e vizave, në zgjerimin e njohjeve për shtetin e Kosovës, ku ka patur rol kryesor, ashtu si dhe në anëtarsimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Nga ana e saj, Ministrja Loiseau, e vlerësoi krijimin e qeverisë së re të Kosovës dhe inkurajoi rol më të fortë të saj në integrimin europian, në përmbushjen e kushteve „ që ndoshta ndonjëherë janë të ashpra, si pasojë e presionit populist në opinionet tona publike“, tha Ministrja Loiseau.
Ajo, gjithashtu, kërkoi vëmendjen e qeverisë për ndërmarrësit francezë, si dhe për zgjerimin dhe mbrojtjen e mësimdhënies së gjuhës frënge.
Franca do të jetë aleate e pamohueshme e Kosovës, për integrimin europian, për dialogun me Serbinë, për njohjet e shtetësisë dhe në çdo proces tjetër përparimi ka ri-konfirmuar qëndrimin francez përkitazi me Kosovën, Ministrja Loiseau.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës Franca ka mbështetur fuqishëm zgjerimin e njohjeve të Kosovës, procesin e shtet-ndërtimit brenda për brenda, si dhe i ka dhënë përkrahje të madhe Kosovës në përpjekjet për anëtarësim në Organizata ndërkombëtare shumëpalëshe, sic ishte edhe rasti i rolit vendimtarë të Francës për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Franca dhe Kosova mbajnë një dialog të ngushtë si dhe koordinojnë e bashkërendojnë çështje të ndryshme, që përfshinë ato dy-palëshe dhe shumë-palëshe.
Parteriteti strategjik kosovaro-francez përfshinë, por, nuk kufizohet vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ekonomisë si dhe atë të arsimit dhe kulturës.