Fjalimi i Presidentes Osmani në mbledhjen komemorative për nder të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku
Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore për t`ia dhënë lamtumirën e fundit policit tonë, rreshterit Afrim Bunjaku, i cili deri dje ishte gardian i sigurisë sonë, ndërkaq prej sot është hero i Kosovës.
Ai ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë, prandaj sot na në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës do t’i ndajë post mortem urdhrin më të lartë të Republikës, Urdhrin Hero i Kosovës.
Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka edhe një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm e përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës.
Sot po nderojmë një hero të vërtetë, një rreshter policie trim dhe vetëmohues, i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë.
Siç e dini jeta e një oficeri policie është jetë e shërbimit, e sakrificës dhe e guximit.
Afrim Bunjaku, sikurse edhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dje u sfiduan nga banda terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet. Rikthyen ligjin, mbrojtën integritetin territorial e sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin.
Heroi ynë, Afrimi, ishte një shtyllë e fuqishme e Policisë së Kosovës. Ai ishte një shërbyes i devotshëm ndaj atdheut, i përballur vazhdimisht me sfida e rreziqe, por mbi të gjitha tregoi trimëri të pashoq.
Ai qëndroi i palëkundur në mbrojtje të ligjit e kundër grupeve terroriste të mbështetura nga Serbia, synimi i të cilëve ishte destabilizimi jo vetëm i Kosovës, por trazimi i gjithë rajonit tonë.
Afrimi na kujton se heronjtë nuk lindin, por bëhen të tillë nëpërmjet veprave dhe sakrificës së tyre, e Afrimi është shembëlltyrë e këtyre vlerave. Vlerave patriotike të kultivuara në familjen e tij.
Beteja për vendosjen e rendit dhe ligjit është një nga sfidat më të mëdha në secilën shoqëri. Ajo kërkon jo vetëm nivelin më të lartë të aftësisë dhe trimërisë, por edhe ndjenjën e thellë të përkushtimit ndaj parimeve të drejtësisë dhe të lirisë. Heroi ynë, Afrimi, i ka mishëruar të gjitha këto cilësi gjatë gjithë karrierës së tij, duke qëndruar si një mbrojtës i paepur i vlerave tona dhe i lirisë sonë.
Heroizmi i tij le të na frymëzojë që të qëndrojmë të gjithë të bashkuar kundër forcave të errëta, kundër terrorizmit, kundër atyre që akoma mohojnë ekzistencën tonë dhe synojnë ta destabilizojnë shtetin tonë.
Trashëgimia e tij le të na shërbejë si një kujtesë se heronjtë janë përherë në mesin tonë, si mbrojtës të vendosur të themeleve të Republikës së Kosovës.
Republikën e Kosovës nuk do të arrijë askush ta gjunjëzojë e ta përulë, derisa ka vajza e djem si Afrimi, të cilët e vendosin interesin e Republikës, përpara fatit individual.
Ata që ranë në altarin e lirisë, heronjtë sikurse Afrimi si dhe Republika jonë, janë të përhershëm!
Lavdi dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Afrim Bunjaku.
Sot para jush kam nderin që në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës t’i ndaj urdhrin “Hero i Kosovës” post mortem rreshterit Afrim Bunjaku. Ky urdhër i ndahet për sakrificën e tij në krye të detyrës, duke rënë heroikisht në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ftoj përfaqësuesit e familjes që ta pranojnë urdhrin. /2LONLINE/