Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe me familjarët e personave të zhdukur me dhunë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur kanë vendosur kurorë lulesh pranë memorialit për personat e pagjetur.
Presidentja Osmani ka thënë se ata do t’i mungojnë jo vetëm shpirtit të gjithsecilit prej nesh, por shpirtit të një shteti të tërë, shpirtit të një kombi të tërë.
“Fati i tyre bëhet edhe shumë më tragjik, kur dihet që janë në duart e shtetit serb, një shteti që ka ushtruar gjenocid ndaj popullit të Kosovës e që fatkeqësisht ende nuk po distancohet nga kjo e kaluar e tmerrshme dhe nga krimet që ka kryer ndaj popullit tonë. Por, duke e ditur që të zhdukurit me dhunë janë plaga jonë më e thellë, janë ndër plagët më të mëdha të Kosovës së pasluftës kjo i bën përpjekjet tona shumëfish më të mëdha për të zbardhur fatin e tyre, për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia dhe për t’u siguruar që asnjë çështje nuk është më prioritare në procesin e dialogut me Serbinë sesa kthimi i më të dashurve tanë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Ajo më tej ka theksuar se asnjë dhimbje nuk është më e madhe, rrjedhimisht asnjë çështje nuk mund të jetë asnjëherë prioritet më i madh.
“Dhimbja nuk është vetëm e familjarëve, ata siç e kam thënë gjithmonë janë edhe familjarët tanë, janë njerëzit tanë, janë motrat e vëllezërit tona, janë bijtë e bijat tona. Prandaj, dhimbjen e kemi të përbashkët dhe vetëm bashkë mund ta përballojmë e vetëm bashkë mund të kërkojmë përgjegjësi nga shteti i cili i ka zhdukur ata me dhunë”, ka theksuar Presidentja Osmani. /2LONLINE.com/.