Nga: Izmi Zeka
Ngjarjet me peshë historike kanë kontinentet. Rastësi në historinë e popujve nuk ndodhin.
Në këtë rrjedhë do të mundohem të paraqes ngjarjet dhe emra të cilat sollën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në këtë kontekst edhe Betejës së Zhegocit.
Përpjekjet për bashkim kombëtar apo rezistenca shqiptare ndaj pushtetit serb ka qenë pothuajse qindvjeçare. Por do të ndalemi pikërisht te Pas Lufta e Dytë Botërore.
Mulla Idrizi dhe Shaban Polluzha mund të jenë dy figura që mbajtën gjallë me përpjekjet e tyre edhe me luftë për tu shkëputur respektivisht për të krijuar shtetin dhe bashkimin kombëtarë.
Pas LDB –së edhe pse Kosova mbeti nën Jugosllavinë e Titos asnjëherë rezistenca politike përmes formave të ndryshme ilegale nuk u ndal.
Do i përmendi grupet të cilat kanë vepruar dhe kanë mbajtur gjallë frymën atdhetare e të cilat edhe pse kishin dallime të vogla në kërkesat e tyre arritën që të ruajnë idenë qoftë të bashkimit kombëtar po ashtu edhe të një Kosove të lirë.
Nëse i shohim organizatat e pas LDB mund ti definojmë edhe në bazë të programit që kishin e mund të shihen në tri orientime që qonin në zgjidhjen e çështjes shqiptare që ishte nën Jugosllavi
1.Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;
2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe
3. Republika e Kosovës.
Që të tri këto orientime programore të shtruara ishin konsistente në veprime dhe qartësi politike. Orientimi i parë programor për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë në programin e saj e kishte paraparë LNDSH, Besa Kombëtare, Partia Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Etnike me Shqipërinë” (1958); “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare” (1959); “Komiteti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“ (1960) ,, Grupi Revolucionar”, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (1963). OMLK e dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Që të gjitha këto organizata ishin vazhdimësi e lëvizjeve ilegale për çlirim kombëtar qysh nga Lidhja e Prizrenit (1878) e këndej.
Opsionin e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptaret në një republikë në kuadër të RSFJ-së.
Opsioni i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989
Sforcimi i kësaj kërkese erdhi si rezultat i rrethanave evropiane dhe ndryshimeve që po ndodhnin edhe në vendet e lindjes dhe shkapërderdhjes se Federatës Jugosllave.
Lëvizja ilegale në Kosovë që nga viti 1982 merr kuptimin e shtrirjes në nivel të Kosovës dhe më gjerë nën udhëheqjen e Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Figurat e rëndësishme politike e intelektuale dhe kombëtare prej pas luftës së Dytë Botërore që ndikuan në të gjitha proceset që kaloi Kosova për 50 vite e që ndikuan në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe krijimin e Ushtrisë Çlirimtare ishin duke filluar nga Adem Demaçi ,Metush Krasniqi, Kadri Osmani, Mehmet Hjarizi, Hydajet Hyseni, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e shumë figura tjera. Natyrisht këta ishin vetëm disa emra e që këtij vargu kemi me qindra dhe mijëra që ishin pjesë e luftës së pandërprerë Çlirimtare.
Si rrjedhoj e këtyre përpjekjeve erdhi deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare më 17 nëntor 1994, duke u pasuar shpejt me daljen e saj publike, më 28 nëntor të të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci.
Lufta në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars e vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Ngjarjet e pesë, gjashtë dhe shtatë marsit në Prekaz, nga distance kohore dhe aspekti historik e shkencor merr këto portretizime:
Mbyll një kaptinë të dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës, dhe fillon një etapë e re;
Kthen dinjitetin pothuajse të përbuzur;
Qartëson më shumë se kurrë pozicionin e shqiptarëve në raport me Serbinë;
Krijon rrethana politike e diplomatike më të favorshme në Ballkan, Evropë dhe Amerikë;
Ruan koherencën në veprime duke i përshtatur rrethanave në Kosovë dhe në fund;
Shënon ngjarjen më të rëndësishme historike të shekullit XX, fundin e një regjimi të huaj.
Pas kësaj ngjarje lufta merr përmasa tjera në zgjerimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmasat e saj përveç luftës që zhvillohej me forcat policore e ushtarake serbe mund të themi se përherë të parë zhvillohej edhe diplomacia e UCK-së.
U krijua një lidhje e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglisë e po ashtu edhe me Naton.
Nga mbështetja ndërkombëtare në veçanti e Amerikanëve u arrit që të organizohet Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën.
Me 6 shkurt të vitit e 1999 e që zgjati deri më 23 shkurt 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë në Francë. Në këtë konferencë nga Kosova merrnin pjesë përfaqësues të UÇK-së, LDK-së, dhe LBD-së. kryetar i delegacionit ishte Hashim Thaçi
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i shteteve të BE-së.
Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme.
Delegacioni i Kosovës në krye me Hashim Thaçin, kishin nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga ndërkombëtarët dhe organizatoret e Konferencës, së cilës në një mënyrë i printe SHBA dhe Anglia, kurse delegacioni serb një projekt- marrëveshje, që parashihte projekt marrëveshje politike për vetëqeverisje në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Slobodan Milosheviq, nuk pati mirëkuptim që ta pranonte marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e trupave ushtarake të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Për të rrumbullakuar këtë trajtesë të përshkrimit të ngjarjeve 50 vjeçare, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ndër të arriturat më të mëdha të përpjekjeve për çlirim pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Nga lufta e UCK-së dhe intervenimi i Natos Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë e saj. Prandaj e vetmja luftë që kombinoi edhe diplomacinë dhe luftën politike, mbetet kjo e UÇK-së. Natyrisht diplomacia dhe sigurimi i aleatëve janë ndër faktorët më të rëndësishëm për arritjen e objektivave të një populli. /2LONLINE/