Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhuruar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës një donacion prej 211 koncentratorëve të oksigjenit, si ndihmë e vazhdueshme në luftën ndaj pandemisë COVID-19.
Koncentratorët e oksigjenit zvogëlojnë nevojën e prezencës së bombolave të oksigjenit në dhomat e pacientëve. Punojnë me rrymë dhe janë shumë më lehtë të përdorshëm.
Kanë një kapacitet prej 5 deri në 10 litra oksigjen në minutë dhe do të përdorën për pacientët që janë me gjendje më pak të rënduar shëndetësore.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, vlerësoi lart kontributin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjersa u zotua se pajisjet do të përdoren në mënyrë transparente, ku e kërkon nevoja.
“I siguroj donatorët që, çdo pajisje, çdo produkt, që vjen donacion në Kosovë, do të shfrytëzohet në mënyrë të rregullt, do të ruhet e do të mirëmbahet dhe do të kujdesemi që ato të përdoren vetëm për pacientët që kanë nevojë”, tha Krasniqi.
Nga 30 koncentratorë janë ndarë për Spitalin e Gjilanit, Prizrenit, Ferizajt, Gjakovës dhe Pejës. 20 të tillë janë dërguar në Vushtrri, kurse 10 në Mitrovicë. 30 koncentratorë tjerë të oksigjenit do të përdoren varësisht nga nevoja.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, theksoi se puna, që po bëhet për një koordinim më të mirë me donatorët, po shpërblehet me ardhjen e donacioneve nga e gjithë bota.
“Sot po pranojmë donacionin e radhës, i cili edhe për nga forma, sasia dhe cilësia na ndihmon në betejën tonë me pandeminë. Jemi duke përgatitur edhe format e reja të kërkesave tona që do t’i prezantojmë të premten para donatorëve”, deklaroi Zemaj.
Sergy Koryak nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i cili ishte prezent gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të këtyre pajisjeve, kërkoi që të respektohen rekomandimet (bartja e maskës, mbajtja e higjienës dhe respektimi i distancës sociale), si të vetmet masa preventive për përhapjen e virusit COVID-19, në mungesë të vaksinës.