OAK për të disatën herë pas dërgimit të kërkesave të bizneseve tek Kuvendi i Kosovës me postë elektronike, postë zyrtare në Kuvend dhe shpërndarjen e kërkesave në formë fizike para Kuvendit, është duke kërkuar nga deputetët e parlamentit të Kosovës që të shqyrtojnë kërkesat e binzeseve dhe punëtorëve, me qëllim të ofrimit të përkrahjes për bizneset që kanë pësuar dëme të mëdha si pasojë e pandemisë në mënyrë që të mund të ndalët largimi i punëtorëve nga puna si rezultat i rënies së qarkullimit apo mbylljes së bizneseve nga ana e qeverisë. Për rikujtim, të gjithë punëtorët e sektorit privat që mbesin pa punë, mbesin në mëshirën e rrugëve sepse qeveria nuk e mbeshtet asnjë punëtorë që ka punuar me vite dhe mbetët i pa punë.
OAK shprehet tejet e shqetësuar për mosshyqrtimin e kërkesave të biznesit dhe mosvotimin ende të këtij Projektligji dhe kërkojmë përsëri nga deputetet që të veprojnë më shpejtë në kalimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike i cili është mëse i nevojshëm dhe kjo shtyerje do të rrezikojë në humbjet e mëdha financiare dhe humbjet e vendeve të punës.
Në rast se nuk merren parasysh kërkesat e parashtruara të bizneseve në këtë projektligj, atëherë bizneset e Kosovës do të kenë të pamundur të funksionojnë, gjë e cila do të rezultoj me mbylljen e tyre e largimin e së paku 50.000 deri në 100.000 punëtorëve.
Oda e Afarizmit të Kosovës bën thirrje deputetëve të reagojnë më shpejtë, dhe të mos i neglizhojnë kërkesat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat sepse kemi mbetur shteti i fundit për krijimin e një alternative për mbrojtjen e ekonomisë pas pandemisë.